Kryeprokurorja e Speciales kërkon nga 45 vjet burgim për ish-udhëheqësit e UÇK-së

Hagë, 9 shkurt 2026 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot ka filluar faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime të luftës dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West, në parashtrimin e deklaratës përmbyllëse të prokurorisë, kërkoi që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.

“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha ajo.

Prokurorja West bëri të qartë se kërkesa e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar për dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka të bëjë me personat konkretë dhe me tyre e jo me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Ne kërkojmë dënimin e personave konkret, jo të shtabit të përgjithshëm. ZPS-ja kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në veprimet individuale të secilit prej të akuzuarve dhe krimet e kryera. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha ajo.

West theksoi se Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka vendosur të vë drejtësi pavarësisht frikës nga stigmatizimi me të cilën janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre.

“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, tha prokurorja.

Prokurorja tha se mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në kampet e ndalimit të UÇK-së, ndërsa viktimat kanë qenë persona të lidhur me LDK-në, pjesëtarëe të komunitetit rom dhe të komunitetit serb.

“Dëshmitarët dhe provat tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to”, tha Prokurorja West.

Ajo theksoi se gjatë procesit janë dëgjuar edhe dëshmitarë ndërkombëtarë dhe pojesëtarë të UÇK-së, ndërsa 7 dëshmitarët e mbrojtjes kanë pasur informacion të kufizuar për aktivitetet e UÇK-së dhe nuk kanë folur me të njëjtën gjuhë në atë kohë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

(r.m.)