Kryesia e LDK-së e mbështet nominimin e Sejdiut për President, fton deputetët ta votojnë

Prishtinë, 1 shtator 2026 – Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka mbështetur nominimin e Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së dhe kështu e mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga LDK-ja, pas mbledhjes së kryesisë.

Në deklaratë thuhet se vendimi për mbështetjen e kandidaturës së Sejdiut është marrë në mbështetje të autorizimeve të Kuvendit të partisë dhe përgjegjësive të saj statutare., në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike që mundëson “teklaimin e krizës institucioneve dhe për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës”.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratë.

“Për LDK-në, ky process nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional. Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor I veprimit tonë”, thuhet më tutje në deklaratën e LDK-së.

Kryesia e LDK-së, sipas deklaratës, e ka vlerësuar Sejdiun “personalitet me integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, i cili e kupton peshën kushtetuese të kësaj detyre dhe është në gjendje ta përfaqësojë unitetin e popullit”.

“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit; me theks të veçantë në orientimin tonë euroatlantik”, thuhet në deklaratë.

Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të kësaj partie që në procesin e votimit në Kuvend për President të Republikës të veprojnë “në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë dhe me vendimin e Kryesisë së partisë.

“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me maturi, unitet dhe përgjegjësi, duke vendosur mbi të gjitha interesin e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Kandidatura e Bekim Sejdiut për President të Republikës do të diskutohet edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të kësaj partie. Deri më tash, vetëm deputeti Avdullah Hoti ka reaguar kundër kandidaturës së Serjdiut dhe ka paralajmëruar se në Kuvend do të votojë kundër zgjedhjes së tij në krye të shtetit.

May be an image of text

May be an illustration of text

(r.m.)