Kryesuesit e komiteteve për punë të jashtme të 13 vendeve të Evropës kërkojnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe hetim të plotë për sulmin në Banjskë

Bruksel, 13 dhjetor 2023 – Kryesuesit e komiteteve për punë të jashtme të 13 vendeve të Evropës u kanë bërë thirrje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i heqin të gjitha masat negative ndaj Kosovës dhe që të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka njoftuar se nënshkruesit kanë kërkuar që këto veprime të ndërmerren në samitin e sotëm BE – Ballkan Perëndimor.

“Sot 13 kryesues të komiteteve parlamentare nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut që të njoftojnë në Samitin BE – Ballkan Perëndimor: fundin e gjitha masave negative ndaj Kosovës dhe hetimin e plotë ndaj sulmit në Banjskë dhe të publikojnë rezultatet”, ka shkruar Kearns në platformën “X”.

“Kanë kaluar dy muaj që kur militantët e armatosur rëndë të udhëhequr nga ish nënkryetari i Listët Serbe, Milan Radoiçiq, vranë një rreshter policor kosovar dhe u futën në Banjskë. Sasia dhe lloji i armëve sugjeron për mbështetje nga shteti serb. Ne kemi nevojë për një hetim zyrtar me rezultate publike”, ka theksuar ajo.

Zonja Kearns ka bërë thirrje që Radoiçiqe të ekstradohet në Kosovë që të përballet me drejtësinë.

“Milan Radoiçiq e ka pranuar sulmin. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjyq. Nuk ka asnjë justifikim për Serbinë që ta mbrojë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij nga përballja me drejtësinë për krimet e tyre”, ka shkruar aj.

Kearns i ka falënderuar homologët e saj që e janë pajtuar me këto kërkesa.

Faleminderit kryesuesve që u mblodhën gjatë 24 orëve të fundit për t’i bërë thirrje BE-së që më në fund të miratojë një qasje më të drejtë për marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Paqja kërkon drejtësi dhe llogaridhënie, të dyja po mungojnë”, ka shkruar Kearns.

(r.m.)