Kryetari i Çairit, Visar Ganiu, dënohet për tubimin ku mori pjesë Albin Kurti

Shkup, 15 gusht 2023 – Kryetari i komunës së Çairit, në Shkup, Visar Ganiu, është thirrur të martën në stacionin e policisë të Bit Pazarit, ku është intervistuar lidhur me tubimin e mbajtur javën e kaluar në Çair.

Në tubimin ku u bë përurimi i një rruge të lagjes Çair me emrin e Adem Demaçit, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas intervistimit, Ganiu ka bërë të ditur se ndaj tij janë bërë dy kallëzime për kundravajtje, të cilat kanë të bëjnë me përdorimin e simboleve shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë për mediet, Ganiu ka thënë se atij i është komunikuar se do të dënohet për mos-intonimin e himnit shtetëror dhe për mos vendosjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, kallëzimet nadaj tij janë të motivuara politikisht, për shkak të pjesëmarrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kanë vendosur që, për momentin, t’i kem dy dënime për kundërvajtje. Arsye është vizita e kryeministrit (të Kosovës) Albin Kurti, në Çair. Thirren në ligj për shkak se atë ditë aty nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe që nuk ka pasur flamuj (të Maqedonisë së Veriut). Do të thotë, protokolli nuk e ka paraparë që të ketë flamuj. Nuk ka pasur (flamuj) të Maqedonisë, por nuk ka pasur as të Kosovës”, ka deklaruar Ganiu pas daljes nga stacioni policor, transmeton Alsat.M.

Përurohet rruga "Adem Demaçi" në Çair - GazetaBlic

Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, i ka kërkuar Këshillit të Qytetit të Shkupit që rrugës së emëruar “Adem Demaçi”, në komunën e Çairit, t’i kthehet emërtimi i deritashëm.

“Sot e kam dorëzuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit një iniciativë për rikthimin e emrit të rrugës ‘Brigada e Dytë Maqedonase’, të cilën këshilltari i mëparshëm e kishte riemërtuar ‘Adem Demaçi’, për të cilën Qeveria ka dhënë pëlqimin për ndryshim”, ka shkruar Arsovska.

Ajo ka thënë se kështu “do të korrigjohej padrejtësia ndaj më shumë se 230 heronjve, pjesëtarë të Brigadës së Dytë Maqedonase të të gjitha etnive që e kanë dhënë jetën në mbrojtje të Maqedonisë”.

Të njëjtën ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë edhe në një tubim në Tetovë, në të cilin nuk u pa asnjë simbol shtetëror i Maqedonisë së Veriut, por vetëm simbolet kombëtare shqiptare, përfshirë edhe një pano me hartën e “Shqipërisë etnike”.

Presidenti i Masqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka cilësuar “ikonografi nacionaliste provokuese” ikonografinë e përdorur në tubimet e Çairit dhe Tetovës, ai ka thënë së kjo ikonografi paraqet “nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës etnike” në Maqedoninë e Veriut,

“Përdorrimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste shtetomëdha paraqet nxitje të urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje cenon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si edhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e në Çair të përgjigjen para drejtësisë për “shkeljen e dispozitave ligjore” për përdorimin e simboleve kombëtare.

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë e Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e disapozitave ligjore për përdorimin e flamurit e të himnit shtetëtor si edhe të flamujve e simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të zhvillojnë procedurat e parapara”, ka thënë Pendarovski.

(r.m.)