Kryetari i Mariupolit thotë se forcat ukrainase vazhdojnë të luftojnë

Mariupol, 14 prill 2022 – Kryetari i qytetit të Mariupolit, Vadym Boichenko, i tha transmetuesit gjerman ARD të enjten në mëngjes, 14 prill, se forcat ukrainase do të vazhdojnë luftën për mbrojtjen e qytetit.  

“Mariupoli ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë një qytet ukrainas”, tha ai.

Boichenko i quajti lajme të rreme raportet ruse se porti i qytetit ishte kapur dhe se më shumë se 1000 luftëtarë ukrainas ishin dorëzuar.

“Qyteti në brigjet e Detit Azov është ende duke u mbrojtur nga regjimenti Azov i ushtrisë ukrainase dhe këmbësoria detare”, tha ai.

Boichenko nuk gjendet në Mariupol, por thuhet se është diku në Ukrainë.

Qyteti i Mariupolit ka qenë i rrethuar nga trupat ruse dhe nga separatistët pro-rusë për javë të tëra. Pjesa më e madhe e tij është shkatërruar dhe kushtet humanitare për banorët e mbetur janë katastrofike.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, të enjten në mëngjes, tha se rusët kanë vazhduar të bombardojnë rajonet e Harkivit, Donjeckut dhe Zaporizhjes, gjatë natës.

Ukraina parashikon një ofensive tjetër të shkallës së gjerë të rusëve në lindje të vendit.

(Sipas REL)