Kryetari i Preshevës vizitoi Thaçin, Veselin dhe Krasniqin në Hagë

Hagë, 27 qershor 2022 – Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka vizituar të hënën Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pas takimit, Arifi ka shprehur shqetësimin për, siç ka thënë, “padrejtësitë që po bëhen me procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së”. Ai ka shprehur besimin se gjykata do të miratojë kërkesën që ish-krerët e UÇK-së të mbrohen në liri dhe ka shprehur bindjen se ata do të shpallen të pafajshëm.

“Konsiderojmë se do të lirohen sa më shpejt dhe atë të në formë të pafajshëm dhe të kthehen në vendlindjet e tyre dhe në familjet e tyre. Deri atëherë shpresojmë që gjykata merr parasysh kërkesat e shumta, të cilat në mënyrë institucionale janë drejtuar këtu që të mbrohen në liri. Unë kam qenë shumë i befasuar me pozitivitetin e të tre vëllezërve që janë këtu, siç është Kadri Veseli, apo edhe ish-presidenti Thaçi, por edhe baca Kupë, i cili u gëzoheshin për shëndetin e mirë, por edhe kanë dhënë fjalë pozitive. Një nga fjalët që më ka mbetur nga të tretë në mendje është që ‘ne gjendemi në burg, por mendojmë pozitivisht edhe të mirën e gjithë kombit’. Por, edhe një nga fjala e ish-kryeparlamentarit ishte ‘gajlen e Preshevës e kam si gajlen e Mitrovicës’”, ka thënë ai.

Javën që shkoi, ish-krerët e UÇK-së i ka vizituar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka shprehur shqetësimin për stërzgjatjen e procesit të hetimeve dhe vonesën e fillimit të procesit gjyqësor.

(r.m.)