Kryeziu: Zyra e Kurtit është në ndërtesën e Qeverisë, por ai mund të mbajë takime edhe jashtë saj

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar pas njoftimit se zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të zhvillojnë takime me anëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit Albin Kurti është në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, por takimet e Kurtit mund të mbahen edhe jashtë saj.

“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që nuk mban takime pune edhe jashtë zyrës së tij, por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve. Takime jashtë mjediseve të Kryeministrisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën edhe gjatë kohës sa ka qenë me mandat të plotë”, ka thënë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Të enjten, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka njoftuar Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se zyrtarët e BE-së nuk do të zhvillojnë takime me të dhe me anëtarë të kabinetit të tij brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Në letrën dërguar Kurtit thuhet se ky vendim vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës mbi Udhëzimin Administrativ për Pajisjet Fiskale Elektronike, aktkgjykim që bazohet në nenin 71 të Kushtetutës që ndalon ushtrimin e funksioneve ministrore dhe parlamentare njëkohësisht.

“Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të vijë një qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën e ambasadorit Orav dërgyuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

(r.m.)