Kthehet në “pikën zero” çështja e mandatit të deputetes për Olta Xhaçkën

Tiranë, 27 qershor 2023 – Mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë e vonon 6 muaj zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i vlerësoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mocionit çështjen e mandatit të koleges së tyre, Olta Xhaçka.

Anëtarët e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë nga radhët e Partisë Socialiste kërkuan të martën të rikthehet në pikën zero diskutimi për këtë çështje, duke propozuar rimarrjen në shqyrtim të çështjes nga Këshilli i Rregullores dhe Mandateve.

Deputetet Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka sugjeruan që vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin të dërgojë në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës t’i dërgojnë për shqyrtim në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, duke refuzuar propozimin për futjen e vendimit direkt në seancë plenare.

“Dispozitivi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese na kthen në pikën zero, tek Këshilli i Rregullores dhe Mandateve”, tha Felaj, e cila e drejtonte mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Sipas saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese i kanë shfuqizuar të dy raportet e miratuara nga ky këshill.

“Është sikur të mos kishte ndodhur”, tha ajo, duke iu referuar shqyrtimit disamujor të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës në këshillin e mandateve.

Bushka sqaroi procedurën që propozohej prej socialistëve si një detyrim nga rregullorja e Kuvendit.

“Ne bëjmë një raport-opinion për kryetaren e Kuvendit, ku i sugjerojmë që vendimi të shqyrtohet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve”, tha ajo.

Sipas saj, ky organ do të marrë pastaj vendim për ta dërguar çështjen në seancë plenare.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i quajti “pirueta” propozimet e kolegeve socialiste, duke përsëritur disa herë se Kuvendi është i detyruar të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetueses dhe jo të gjejë mënyra për të zvarritur çështjen.

“Po talleni?”, iu drejtua ai kolegeve, duke i cilësuar argumentet e tyre pa arsye juridike, me qëllim për të fituar akoma më shumë kohë përmes zvarritjes së procedurave.

“Nuk ka 7 organe brenda Kuvendit që marrin në shqyrtim vendimet e Kushtetueses. Është vetëm Këshilli i Legjislacionit, i cili ka vendosur një praktikë, me vendimmarrjen për të paktën 3 raste të ngjashme”, tha ai.

Sipas Bardhit, dërgimi tek këshilli tjetër është pa kuptim, sepse në atë këshill janë shqyrtuar dy mocione me objekt të njëjtë dhe në fund ka dalë me dy raporte.

“Gjykata Kushtetuese i ka shfuqizuar vendimet e Kuvendit për këto raporte, nuk i ka shfuqizuar raportet”, iu drejtua ai Felajt.

“Ka një praktikë parlamentare për këtë, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese është botuar në fletoren zyrtare. Këshilli i Legjislacionit i është drejtuar me një raport kryetarit të parlamentit dhe ai e ka futur në seancë, ku, me një votim të thjeshtë, çështja është dërguar për shtyrtim në Kushtetuese”, theksoi Bardhi.

Socialistët i anashkaluan edhe qëndrimet e ekspertit të thirrur prej tyre, Krenar Loloçit, i cili nuk ishte thirrur në mbledhjen e sotme, ku as nuk u lexua opinioni i tij për publikun.

Në opinionin e tij me shkrim, Loloçi del me përfundimin se vendimet janë të detyrueshme për Kuvendin dhe, në këtë rast, mocioni i 1/10 së deputetëve duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi është i vetmi organ që e shqyrton papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe Kuvendi duhet të marrë masa ta zbatojë atë, siç ka vepruar edhe më parë kur Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim”, shkruan ai.

Drejtuesja Ermonela Felaj e mbylli mbledhjen pa një vendimmarrje, duke caktuar për datën 7 korrik prezantimin e raportit të Këshillit për Kryetaren e Kuvendit.

Një vit më parë opozita inicoi kërkesën për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, ministre e Jashtme, pasi qeveria vendosi t’ia japë statusin “investitor strategjik” bashkëshortit të saj, biznesmenit Artan Gaçi, dhe, me vendim të qeverisë, iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve të detit në Dhërmi.

Pasi mazhoranca votoi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese papajtueshmërinë e mandatit, të dy grupimet e Partisë Demokratike iu drejtuan me kërkesa të veçanta kësaj gjykate.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe e riktheu çështjen në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e mazhorancës që e bllokonte dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Në vendimin tjetër, Gjykata Kushtetuese e pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit, duke mos e legjitimuar si subjekt që vë në lëvizje gjykatën për këtë çështje.

(Reporter.al)