Kur i kumbon ora idiotit

Nga Ruben Avxhiu

Mund të thuhet se për Vetëvendosjen dhe kryeministrin Albin Kurti, kjo po rrumbullakosej si java më e vështirë që nga fillimi i qeverisjes. Koha kur fillon të lëshosh pe sepse mendon se i ke realizuar qëllimet, ose sepse fillon ta ndjesh pasojat e presionit nga jashtë.

Që nga deklaratat e diskutueshme të ministres së Jashtme, te bezdia e zbulimit të bisedave me kolegët deputetë serbë, te lëshimet për zbutjen e situatës në veri, e shumë të tjera rrethana që u gërshetuan me nisma nga opozita për zgjedhje të reja.

Pikërisht në këtë kohë, kur opozita në Kosovë duhej të korrte frytet politike të punës së saj, disa deputetë idiotë krijojnë skandal rreth foltores së parlamentit.

I dini ato filmime që shohim nga parlamente të ndryshme në botë dhe qeshim me ta? Të zgjedh populli për të folur në emër të tij ndërsa ti rrihesh si idiot se mendon se je në ring apo kafazin e forcës.

Disa deputetë të PDK-së u sulën të rrahin Kurtin dhe ministra të tjerë. Në vend që të shijonin momentin kur qeveritarëve u duhej të gjenin rrugëdaljen nga situatat që kishte prodhuar kjo javë, lëshohen ata vetë në skenë, duke u vetëpropozuar si dështakë të cilëve u kanë mbaruar argumentet, e që nuk kanë rrugëdalje tjetër veç rrahjes fizike.

Nga një situatë bezdisëse për qeverinë, e kthejnë në një dhimbje koke për opozitën. Tani duhet të justifikohet kjo e fundit për ngjarjen.

Duhej të ishte një javë suksesi e opozitës, por kur kumbon ora e idiotit, nuk ka rëndësi se çfarë ditë, javë, muaj apo vit është.

Përleshja që zgjati disa sekonda do të vijojë në fakt me vite, se gazi e hareja në Serbinë fqinje, vetëm sa ka filluar. Videoklipet do të ripublikohen vazhdimisht jo vetëm nga nacionalistët e sëmurë të vendit fqinj po edhe nga kushdo në botë që lufton njohjen e pavarësisë së Kosovës apo dëshiron t’i paraqesë shqiptarët si të paaftë për vetqeverisje.

Nuk kam durim për skena dhune në Kuvend, që nga vetë fjala duhet të jetë një vend i debatit dhe jo i rrahjes. Nuk i kam duruar aktet e fizike e teatrale as kur bëheshin nga Vetëvendosja në opozitë e nuk i duroj dot as tani. Turp për ata që përdorën grushta e ia marrin fytyrën Kosovës, partisë së tyre, e familjeve të tyre. Shpresoj që të merren masa ndëshkuese e që të vendosen standarde ligjore që incidente të tilla të mos përsëriten më kurrë.