Kur nuk humb shpresën, barka e fatit e gjen limanin e mirëqenies…

(Veprimtari i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan Turhan Rusi, nga Staten Island, New York, vdiq këtë javë. Për ta nderuar e kujtuar po ribotojmë këtë pjesë nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i autorit Vehbi Bajrami, që tregon historinë e familjes Rusi në kontinetin e ri ku me punë e mundime realizuan ëndrrën amerikane duke ndërtuar biznese shumëmilionëshe e kontribuan për çështjen kombëtare e kauza humanitare. Pjesa bazohet në një shkrim të autorit nga viti 2003.)

Nga Vehbi Bajrami

NEW YORK

Janë të shumtë shqiptarët që kanë fituar emër në fushën e ndërtimtarisë së shtëpive, mbulimin e çative, restaurimet e muraturave etj. Ndër më të suksesshmit janë dhe vëllezërit Rusi, biznesi i të cilëve për më shumë se një çerek shekulli, ka njohur vetëm ngjitje.

Në pamje të parë, historia e biznesit të tyre, të duket si një përrallë. Turhan Rusi, dikur, kur sapo kishte ardhur këtu, punoi si kujdestar ndërtese, super- intendent. Për të kursyer ai pranon të bëjë shërbimet e ndërtesës duke përfituar banimin pa pagesë. Dhe, ja tani, ky ish “super” ka ngritur një biznes aq të fuqishëm sa që qarkullon shuma që shkojnë (për një vit) deri në 38 milionë dollarë…

Djemtë e tij Sal, Ilirjan dhe Benjamin Rusi, që tashmë drejtojnë kompanitë janë sot ndër shqiptarët më të njo-hur në Amerikë për biznesin në mbulimin e çative, restaurimin e muraturës së jashtme, pastrimin e fasa- dave të ndërtesave, instalimin e sistemeve izoluese etj. Kompanitë e tyre: “Benjamin Maintenance” dhe “Platinum Maintenance” kanë kryer punime në ndërte- sat më të njohura të New York-ut në Avenunë e Pestë, Park Avenue etj.

***

Vëllezërit Rusi e filluan biznesin e tyre në Brooklyn më 1979, pikërisht aty ku kanë zyrat edhe sot. Që nga ajo kohë kompania “Benjamin”, që mori emrin e vëllait të vogël, është rritur vazhdimisht. Prej saj, më vonë, lindën edhe kompani të tjera.

Historia e vëllezërve Rusi është e ngjashme me atë të shumë bashkatdhetarëve të tjerë. Mjaft shqiptarë, punën e parë e kanë gjetur në ndërtesa si mirëmbajtës e kujdestar, superintendent, jo vetëm për të fituar një rrogë, por edhe për të qenë të liruar nga pagesa e qërasë për apartamentin ku ata kanë banuar. Turhani, i cili erdhi në Amerikë më 1970, bashkë me bashkëshorten Lirijen, vajzën Florinën dhe tre djemtë, që në fillim zuri punë pikërisht si kujdestar i një ndërtese. Pasi përfundonte këtu orarin e punës, vazhdonte turin e dytë në një ndërtesë tjetër. Kur i “tepronte” pak kohë ai mer- rej me lyerjen e banesave. Edhe bashkëshortja e tij punoi shtatë vjet si pastruese në ndërtesat e New York- ut. Punonin që të dy, burrë e grua. Lodheshin, por shpresën se një ditë do të ishin më mirë këtu në vendin e mrekullive, nuk e humbën kurrë. Turhani kujtonte gjithmonë shprehjen popullore: “Humbe pasurinë, s’ke humbur asgjë; humbe shëndetin, ke humbur diçka, humbe shpresën, ke humbur gjithçka”. Dhe nuk e humbi kurrë shpresën e nuk gaboi: një ditë varka që e drejtoi vetë e çoi tek limani i mirëqenies.

Shumë punë, pak gjumë dhe kursim dollarësh të fituara me stërmundim. Kështu i kaloi vitet e para në mërgim Turhan Rusi. Kur iu rritën fëmijët hapi kom-paninë “Benjamin”, e cila, siç e vumë në dukje dhe më lart, është sot ndër më të njohurat në New York.

Dikur Turhani kujdesej për shtëpitë e të tjerëve ndër- sa sot kujdesen të tjerët për shtëpitë e tij. Kur erdhi në Amerikë ai nuk kishte çati mbi kokë dhe për disa muaj qëndroi në shtëpinë e një të afërmi. Disa vjet më vonë ai rregullon çatitë e ndërtesave më të mëdha në New York. Djemtë, të cilëve ua ka dorëzuar binesin qysh prej disa vjetësh, sot kanë shtëpitë e veta, plus tetë ndërtesa të tjera në Manhattan, Brooklyn dhe Staten Island.

Vëllai më i madh, Sali ka shtëpinë më të madhe e më të bukur në Staten Island, të cilën e bleu nga Castalone. Ata që kanë qenë mysafir aty e kanë quajtur “Shtëpia e Bardhë” e Staten Island-it. Ajo zë një sipërfaqe prej 38 mijë “square feet”, shumë më tepër se sa kur e kishte pronari i vjetër. Kur e pyes Ilirjanin se sa dhoma ka kjo shtëpi, ai përgjigjet:

– E di se ka 18 banjo por nuk e di saktësisht se sa dhoma ka.

Në tarracën e shtëpisë ka një pishinë të madhe.

Sali është një adhurues i flaktë i makinave të vjetra e të reja. Në parkingun e vet ka 20 makina që kapin vlerën rreth pesë milionë dollarë. Më e vjetra “Royes Rolls” është e vitit 1918.

Në Staten Island banon edhe Benjamini. Këto ditë u vendos në këtë qytet edhe Ilirijani, i cili deri para pak kohe banonte në New Jersey. Ai atje banonte në një nga lagjet më të mira, por siç thotë ai, vendosi të shpërn- gulet për shkak të fëmijëve. Kur fëmijët jetojnë me të afërmit e vet, pranë njëri – tjetrit, i ruajnë më mirë gjuhën e zakonet.

Sa është vlera e kompanive që kanë në pronësi vëllezërit Rusi?

-Vlera e tyre është rreth 30 milionë dollarë, – përgjigjet Ilirjani.

-Sa ishte vlera e qarkullimit të biznesit vitin e kaluar?

-Ne patëm një qarkullim prej 38 milionë dollarësh. Mirëpo ky, kuptohet se nuk është fitimi i pastër që realizuam se biznesi ka edhe harxhimet e veta, – sqaron Ilirjani.

Vëllezërit Rusi kanë të punësuar 180 punëtorë, të profesioneve të ndryshme.

Në rritjen e biznesit ka ndikuar edhe besimi që kanë krijuar klientët tek kompanitë e vëllezërve Rusi. Tashmë ata kanë vendosur lidhje të ngushta e të qëndrueshme me shumë prej tyre. Në Amerikë thuhet se vlen aq sa ke të njohur. Lidhjet të ndihmojnë të mbahesh rreth dyrekut të suksesit.

-Për të çarë në biznes duhet të jesh i gatshëm edhe të rrezikosh. Po s’pate guxim, mos iu fut fare asaj pune. Biznesi nuk ka orar. Kush punon vetëm tetë orë në Amerikë, nuk mund të arrijë kurrë sukses, – thotë Ilirjani.

Vëllezërit Rusi kanë dhënë ndihma të mëdha materiale për nevojat e vendlindjes, si pë institucionet fetare e për organizata të tjera të komunitetit.

– Po të mos ishte edukata familjare që kemi marrë, – thotë Ilirjani, – nuk do të ishim kaq të lidhur me vendlind- jen dhe komunitetin. Babai ynë, qëkur ishim të vegjël, për çdo vit na çonte në Dibër e në Shkup ku kemi lindur. Në Amerikë është fatkeqësi që shumë prindër i kanë “humbur” fëmijët e tyre sepse nuk i kanë çuar në vendlindjet e tyre, nuk i kanë marrë me vete në festat tona kombëtare e në mbledhjet që janë organizuar për të ndihmuar atdheun. Fëmijët, duke u rritur në mjedisin amerikan, dalëngadalë janë amerikanizuar dhe kur rriten e ndiejnë veten të ftohtë ndaj vendlindjes së tyre e të prindërve. Për këtë falënderoj prindërit që na ushqyen me ndjenjën e shqiptarizmit, – thotë Ilirjani, i cili veprimtarinë e tij sot e zhvillon në Këshillin Kombëtar Shqiptaro – Amerikan. Këtë vit është zgjedhur edhe kryetar i kësaj organizate. Siç pohojnë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të, është personi më i përshtatshëm për atë detyrë. Njeri i qetë në mendim e në gjykim, natyrë pajtuese, edhe në situata të nxehta e emotive, Ilirjani ka besim se duke mos i munguar edhe ndih- ma e aktivistëve të tjerë, do ta çojë më tej veprimtarinë e kësaj organizate.

Ilirjani ka qenë anatër i saj qysh në themelimin e saj më 1996. Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan është sot organizata më e fuqishme në komunitet. Ajo gëzon respektin e qeverisë amerikane e të shumë legjislatorëve në Senatin e në Kongresin Amerikan.

– Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me ta, të cilin do të përpiqemi ta thellojmë edhe më tej, – thotë Ilirjani.

– Aktiviteti i fundit që patëm ishte mbrëmja e përvitshme në qershor të këtij viti ku nderuam ish presidentin amerikan Bill Clinton me Çmimin “Duart e shpresës”. Ishte hera e parë në historinë e diasporës shqiptare që një president amerikan të nderohej direkt nga komuniteti ynë. Ish presidenti Clinton u nda shumë i kënaqur nga kjo mbrëmje madhështore e organizuar aq mirë. Ne synojmë që të zhvillojmë veprimtari edhe më të dendura për t’i shërbyer atdheut tonë, gjithnjë duke qenë në krahun e Amerikës, kësaj aleate të shtrenjtë që i shpëtoi dy herë shqiptarët gjatë historisë, – thotë Ilirjani, i cili këto ditë do të shkojë në Dibër për të përfunduar kontratën për blerjen e Banjës së Dibrës, shumë e njohur për vlerat e saj në shërimin e shumë sëmundjeve.

– E bëjmë këtë jo aq shumë për të fituar, – thotë Ilirjani, – por më tepër për t’i bërë qejfin babait që ka pasur përherë dëshirë të investojmë në vendlindje.