Kur Qendra Kombëtare e Vizave amerikane ndërpret procesin e bashkimit familjar

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Kam marrë një letër nga qendra e vizave të SHBA-së (NVC-ja) që më njofton që do të ndërpresë proçesin për emigrimin e vëllait në SHBA. Për këtë proçes pata paraqitur dokumentat përkatës shumë vite më parë, kur u bëra vetë nënshtetas Amerikan dhe u desh kohë e gjatë që të aprovoheshin. Mirëpo, tani, vëllai ka gjetur një punë të mirë në Europë dhe nuk është më sigurt nëse do të vijë këtu tek unë. Dua që vëllai ta mendojë mirë këtë gjë dhe nuk dua që proçesi për vizë të anullohet. Çfarë mund të ndodhë?

DB

Bronx, NY

Peticioni i aprovuar mund të anullohet nëse nuk veproni brenda vitit. Meqënëse keni pritur për një kohë shumë të gjatë, ju sugjerojmë të njoftoni NVC-në që të vazhdojë ta mbajë çështjen të hapur. 

Ligjet e emigracionit e parashikojnë mundësinë e ndërprerjes së proçesit të regjistrimit të kërkesës për vizë për cilindo person që nuk ka aplikuar për vizë emigruese brenda një viti duke filluar nga koha kur është njoftuar që ka disponueshmëri vizash. Ligji gjithashtu, lejon dhe rihapjen e proçesit të regjistrimit kur personi në fjalë brenda dy vjetësh nga data e njoftimit të disponueshmërisë së vizave, arrin të tregojë në mënyrë bindëse që rrethanat që çuan në mosrespektimin e afatit të aplikimit për vizë, nuk vareshin prej tij.

Aplikanti rrezikon mundësinë që t’ia ndërpresin regjistrimin për vizë në rast se:

  • Nuk ka paraqitur aplikim për vizë brenda një viti nga data kur ka marrë njoftimin që ka viza në dispozicion. Personi që përfiton nga peticioni për bashkim familjar ka një vit kohë për të paraqitur aplikimin për vizë, duke filluar nga data kur është lëshuar njoftimi në fjalë. 
  • Nuk i është përgjigjur njoftimit për takim të cilin e ka marrë bashkë me paketën e dokumentave të takimit për vizë Immigrant Visa Appointment Package. Kjo nënkupton që aplikanti nuk është paraqitur në takimin për aplikim për vizë në datën e caktuar dhe nuk ka arritur të kryejë veprimet e nevojshme që lidhen me çështjen, brenda një viti nga data e caktuar për intervistë; 
  • I refuzohet kërkesa kur paraqitet për intervistë dhe nuk arrin të paraqesë brenda një viti nga data e refuzimit dokumentat e nevojshëm për të hedhur poshtë arsyet e refuzimit të kërkesës,; ose 
  • Nuk arrin të përmbushë atë që i kërkohet nga paketa e udhëzimeve Follow-up Instruction Package for Immigrant Visa Applicants ose brenda periudhës njëvjeçare nuk është futur në llogarinë e tij/të saj të CEAC-së. 

Në kategoritë që mbulohen në këtë diskutim, përfshihen ato që rezultojnë nga aprovimi i peticioneve për viza emigruese 1-130,1-140 dhe 1-360 për ata aplikantë që janë anëtarë të afërt të familjes, emigrantë të kategorive preferenciale të bashkimit familjar, të emigrimit me bazë punësimin apo emigrantët “e veçantë”. 

Procesi i ndërprerjes fillon atëherë kur aplikanti nuk ka aplikuar ose nuk i është përgjigjur korrespondencës lidhur me vazhdimin e procesit, me postë ose nga NVC-ja brenda një viti pas marrjes së njoftimit të disponueshmërisë të vizave.

Me të marrë peticionin e aprovuar, NVC-ja i dërgon personit që ka përfituar statusin e anëtarit të afërm të familjes apo status preferencial, materiale udhëzuese përmes të cilave e njofton për marrjen e peticionit si dhe e këshillon lidhur me hapat që duhet të ndjekë për të aplikuar për vizë.  

NVC-ja duhet të dërgojë një paketë të vijimit të çështjes ku mes të tjerave gjendet dhe njoftimi për një ndërprerje të mundshme të procesit në rastet kur aplikantët nuk i janë përgjigjur brenda vitit paketës së mëparshme të udhëzimeve për marrjen e vizës emigruese. Aplikantëve të cilëve nuk iu ka ardhur ende data prioritare, ndonëse është mbushur viti, NVC-ja iu dërgon paketën pasuese vetëm kur aplikantit i vjen data prioritare. NVC-ja mund të zgjedhë që të fillojë procesin e ndërprerjes duke dërguar me postë njoftimin për një ndërprerje të mundshme të regjistrimit. Ky njoftim është një letër të cilën sistemi i procesimit e nxjerr në mënyrë automatike.

Nëse aplikanti përgjigjet duke kërkuar që të mos ndërpritet procesi i regjistrimit, atëherë duhet të dërgohet paketa me udhëzime të mëtejshme për aplikantët që kërkojnë vizë emigruese.  

Aplikantit i dërgohet një kërkesë për përgjigje e cila përmban sa vijon: 

  • Po, dëshiroj të vazhdoj procesin e aplikimit për vizë emigruese, ndaj ju lutem të më dërgoni informacionin se si të aplikoj për vizë emigruese. E kam të qartë që do të më duhet të ridërgoj tarifat dhe dokumentat përkatës që të mund të vazhdoj me procesin e aplikimit për vizë; 
  • Jo, nuk dëshiroj të vazhdoj procesin e aplikimit për vizë emigruese për një nga arsyet në vijim: Kam bërë ndreqjen e statusit (ju lutemi të dërgoni një kopje të të dy anëve të alien registration card); kam marrë vizë emigruese nëpërmjet një peticioni tjetër dhe tani jam rezident i ligjshëm i përhershëm (ju lutemi të dërgoni një kopje të të dy anëve të alien registration card); Nuk jam më i interesuar të emigroj në Shtetet e Bashkuara; ose arsye tjetër (ju lutemi të jepni shpjegime).

Kur nuk paraqiteni dot: mbarimi i afatit njëvjeçar për të aplikuar për vizë shënon momentin kur nis ndërprerja e peticionit për shkak të mosndërmarrjes së asnjë veprimi nga ana e aplikantit. Megjithatë, periudha njëvjeçare ndalon, nëse gjatë asaj kohe aplikanti ndërmerr hapa të rëndësishëm për të aplikuar për vizë, si p.sh. cakton një takim tjetër për vizë emigruese. Nëse aplikanti ricakton datën e takimit brenda një viti nga dita kur nuk u paraqit dot në takimin e parë, afati një vjeçar për aplikim rinis të numërohet nga e para në ditën e re të takimit.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]