Në kufi të dy epokave
Nga Ruben Avxhiu
Sa afër katastrofës ishim? Në tetorin e vitit 1998, në Kosovë, qindramijëra rrezikonin vdekjen nga uria dhe i ftohti në malet dhe pyjet e Kosovës, NATO ishte gati për të sulmuar, kurse krahu i butë në Administratën Amerikane shpresonte te një marrëveshje diplomatike me Millosheviqin.
Kjo ishte situata kur Harry Bajraktari vendos t’i shkruajë një letër drejtpërdrejt Presidentit Clinton. Këto letra shkojnë shpesh pa u vënë re apo sjellin mbrapsht një përgjigje shabllon, rutinë të parapërgatitur nga sekretarët. Kësaj here, përgjigjia erdhi plot detaje, në një letër nga Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Sandy Berger, çka e bën atë një dokument historik.
Një libër me citimet dhe fjalimet kryesore të Presidenti Bill Clinton kushtuar Kosovës në vitet e luftës – i përgatitur dhe botuar së fundi nga studjuesi i njohur Bejtullah Destani dhe veprimtari shquar shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari – sjell për lexuesin edhe disa letërkëmbime mes këtij të fundit dhe Shtëpisë së Bardhë në ato vite vendimtare për fatin e kombit tonë.
Po sjell këtu një përgjigje që shpalos vizionin e SHBA-së në fillim të tetorit 1998. Si dihet politika amerikane lëvizi ngadalë por kryesisht gjithmonë në drejtimin e duhur. Letra duhet lexuar si një fotodëshmi e pozicionit amerikan të momentit.

Për ta kuptuar këtë dëshmi të rëndësishme për historianët dhe kujtesën tonë kolektive kombëtare, duhet nënvizuar se vjeshta e vitit 1998 ishte fillimi i një agonie e pritjeje, një kufi i vërtetë mes dy epokave.
Pas një suksesi të madh disamujor Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte humbur territoret që kishte çliruar. Qindra mijëra civilë ishin detyruar të zhvendoseshin në male për t’i shpëtuar masakrave makabre që po kryenin forcat serbe. Pas linin shtëpitë që po u digjeshin, pasuritë që po plaçkiteshin, arat që po u shkretoheshin.
Sipas raporteve nga agjensitë humanitare, rrezikohej që të kishte vdekje masive të popullsisë nga uria dhe i ftohti. Ishim në prag të një katastrofe humanitare, jo më në botën e tretë, por në prag të dyerve të “Perëndimit” dhe botës demokratike. Fajtori kryesor ishte po ai, dikatori serb i Jugosllavisë, njeriu që kishte dalë në Dayton si njeri i paqes ndonëse ishte luftënxitësi kryesor i rajonit.
Në mars të atij viti kishte ndodhur masakra ndaj Familjes Jashari dhe aleatët e NATO-s kishin nisur planet për një operacion ushtarak që do të ndalonte dhunën serbe në Kosovë, por debatet politike kishin ngadalësuar planin dhe ndërkohë UÇK kishte çliruar dhe marrë nën zotërim një hapësirë të madhe në zemër të Kosovës. Forcat e çlirimtarëve kishin epërsi në luftën guerrilase, por nuk mund të përballonin nga ana tjetër në fushë të hapur teknologjinë e armatimet superiore sovietike e jugosllave të forcave serbe.
Tani në situatën e re, NATO duhej të bëhej gati. Millosheviqi duke e ndjerë rrezikun kishte rënë dakord të hapte qendra humanitare, mjafton të paguante bota.
Në këto rrethana, Bajraktari dërgon një letër të shkurtër, por fjalë që mesiguri kanë rënë rëndë në veshët e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Në shqiptaro-amerikanët, shkruante ai, kemi gjashtë vjet që ju dëgjojmë zoti President komentet lidhur me politikën amerikane ndaj Kosovës. “Më së fundi, kemi marrë zemër nga vendosmëria juaj se Administrata nuk do të lejojë që të ndodhë në Kosovë një Bosnje tjetër si dhe nga deklarata pa ekuivoke e Sekretares së Shtetit Albright, serbët nuk do të lejohen që të bëjnë në Kosovë atë për të cilën nuk u dënuan në Bosnje”.
Ai e përgëzon më tej Administratën që po angazhohet për të zgjidhur problemin humanitar duke dhënë detaje shtesë se pse Kosova është kriza më e madhe humanitare në historinë moderne të Evropës, por shton se: “nuk ka fantazi që ta pranojë llogjikën që autori kryesor i spastrimit etnik dhe strumbullari i dhunës flagrante mbi civilët t’i lihet në dorë drejtimi i përpjekjeve për të shpëtuar ata nga uria dhe ngrirja”.
Momenti më i fuqishëm i letrës është pyetja se kë duhet të besojë njeriu në këtë situatë: Fjalët e bukura të Presidentit dhe Sekretares Albright, apo veprimet e Administratës?
“Më vjen keq, por veprimet flasin më shumë sesa fjalët”, shkruan Harry Bajraktari.
Ai citon më tej editorialin e “The New York Times” të datës 7 shtator, ku shkruhet copë se “trajtimi i Z. Millosheviq si partner nuk është një mënyrë e pranueshme për të ndihmuar të shpërngulurit…”. Editoriali argumenton se vetëm kërcënimi i besueshëm me forcë ushtarake mund ta bindë Millosheviqin të ndalojë luftën”.
“Z. President, edhe një herë tjetër, po ju bëjmë thirrje juve dhe Sekretares Albright, që të tregoni guximin dhe udhëheqjen për t’u marrë me këtë kriminel lufte një herë e përgjithmonë. Pa e pranuar këtë realitet dhe pa vepruar si duhet me forcë dhe vendosmëri, kriza e Kosovës dhe potenciali i saj i pashmangshëm për të destabilizuar të gjithë rajonin, do të mbetet një kërcënim shumë real për interesin kombëtar amerikan”, përfundon letrën e tij Harry Bajraktari.

Nga shumë letra që kam lexuar të asaj kohe që shqiptaro-amerikanët u dërgonin zyrtarëve amerikanë, kjo është ajo që shquhet për forcën e shprehjes dhe përqendrimin në problemin konkret. Shumë letra të mira janë vetësabotuar padashje, duke hapur tema të drejta si pavarësia, e drejta e shqiptarëve për liri, e të tjera. Letra është dëshmi veç të tjerash e rëndësisë për t’u përqendruar në një problem të vetëm, atë më aktual.
Letra i dërgohej për dijeni edhe Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, Sekretarit të Mbrojtjes William Cohen, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Samuel Berger, Ambasadorit Richard Holbrooke, Ambasadorit Chris Hill, Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Zv-Ndihmëses së Sekretares së Shtetit, Eileen Molloy, Senatorit Al D’Amato, dhe kongresistëve Chris Smith, Eliot Engel dhe Peter King.
Ne e dimë tani që Albright drejtonte krahun në Administratë që e kishte kuptuar se përdorimi i forcës ishte i pashmngshëm për të vendosur paqe në Ballkan. Këshilltari Berger shpresonte për zgjidhje diplomatike dhe po ashtu ishin të vendosur edhe Holbrooke dhe Hill. Në fund këta do të mund ta shpëtonin Millosheviqin atë vjeshtë, por jo në marsin e vitit tjetër.
Në pamundësi për të vendosur për ndërhyrje pa ezauruar të gjitha alternativat, SHBA po punonte në tre drejtime njëkohësisht.
Ndoshta jo më kot, një përgjigje e detajuar i erdhi Bajraktarit pikërisht nga Sam Berger. Letra e meriton botimin pikërisht sepse del nga skemat e përgjigjeve të parashkruara në një përpjekje për të sqaruar jo vetëm një veprimtar por nëpërmjet tij edhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Shumë faktorë ndikuan në farkëtimin e politikës amerikane ndaj Kosovës, por nuk ka dyshim që angazhimi i shqiptaro-amerikanëve me presionin dhe informimin e tyre të vazhdueshëm ishin pjesë e procesit në mënyra që rrallë kanë fatin të bëhen komunitete kaq të vogla si ky i yni.
Një kombimin i vendosmërisë dhe këmbënuljes plot pasion të shqiptaro-amerikanëve, me aftësinë e tyre për të bërë miq dhe aleatë e për t’i përdorur për të bërë presion në emër të tyre, një vëmendje pikërisht në kohën e duhur për fat të mirë i Administratës Clinton për të rritur bashkëpunimin me komunitetet etnike, sinjal që shqiptarët e kapën ndër të parët, mënyra ende e përqendruar e komunikimit në kohën kur interneti e rrjetet sociale ende nuk kishin çakërdisur shoqërinë amerikane, roli i gazetës “Illyria” që i shkonte në tavolinë çdokujt që merrej sadopak me Kosovën, e plot arsye të tjera bënë që ky komunitet relativisht i vogël në Amerikën e madhe të bëhej faktor i vendimeve të mëdha të kohës.
Vetë letra e botuar më poshtë i referohet kalimthi edhe takimeve që shqiptaro-amerikanët të angazhuar në kuadrin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan po bënin në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë dhe mbresave që kishin lënë aty.
Për t’u kthyer në dëshminë konkrete, letrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Samuel Berger, ajo vjen përpara se Holbrooke dhe Gjenerali Clark të zbarkojnë në Beograd për të takuar Millosheviqin, me një kërcënim real që të pranojë tërheqjen nga Kosova ose të bombardohet nga NATO. Kujdesi amerikan i reflektuar në letër hedh poshtë sot përpjekjet e propagandës ruse e serbe që duan ta paraqesin ndërhyrjen amerikane si një agresion të panevojshëm ndaj një populli të vogël. SHBA dhe NATO bënë çmos që të mos ndërhynin. I dhanë mundësi pas mundësie Serbisë që të zgjidhte rrugën e paqes dhe zgjidhjes në tavolinë me marrëveshje politike të krizës.
Letra dëshmon gjithashtu se ndonëse Berger mund të ketë qenë kundërpeshë e Albright për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ai nuk ishte kundër shqiptarëve. Përkundrazi, nuk kishte dyshim se kush ishte Millosheviqi dhe çfarë po bënin serbët dhe në fund, pas marrjes së vendimit mbështeti me energji luftën e Aleancës.
Leximi i këtyre letrave dhe shkrimi i historisë, në këtë rast, vjen me kënaqësinë e vizitës së një kapitulli të historisë që mbaroi në mënyrë fatlume, me çlirimin e Kosovës dhe fitoren e lirisë së një populli të shtypur. Kur një histori mbaron mirë, shpesh na duket si diçka e natyrshme që nuk kishte sit ë ndodhte ndryshe. Në fakt, kauzat e mira në botë shpesh kanë dështuar dhe mjerë kush mendon se nuk kemi çfarë të mësojmë nga historia e të përqeshim përpjekjet e sakrificat e bëra.

I dashur Zoti Bajraktari,
Faleminderit për letrën tuaj për Presidentin ku detajonit shqetësimet e komunitetit shqiptar-amerikan për ngjarjet në Kosovë.
Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet tërësisht të papranueshme të Presidentit Millosheviq të cilat kanë krijuar një krizë të thellë politike dhe humanitare. Jemi duke punuar intensivisht me aleatët tanë evropianë dhe me Rusinë për ta detyruar që të ndalojë menjëherë operacionet e forcave të tij të sigurisë kundër civilëve kosovarë dhe që të fillojë një dialog serioz me udhëheqjen shqiptare kosovare për të arritur një zgjidhje politike.
Politika jonë ka tre pjesë: Së pari, Ambasadori Christopher Hill është angazhuar në përpjekje të vazhdueshme diplomatike që të ndalojë dhunën dhe të nisë negociata drejt një statusi të përforcuar të Kosovës me garanci për të gjithë banorët e saj Ambasadori Hill ka grumbulluar një ekip negociatorësh shqiptarë dhe ka siguruar lejen e Millosheviqit për konceptin e një marrëveshjeje që do t’u siguronte shqiptarëve kosovarë një shkallë vetëqeverisjeje që do të rishikohet pas 3 deri 5 vitesh.
Së dyti, jemi duke marrë hapa për të shtuar në mënyrë thelbësore ndihmën humanitare për kosovarët që po vuajnë. Duke punuar ngushtë me Komisionin e Lartë për Regugjatët të Kombeve të Bashkuara dhe agjensi të tjera humanitare jemi duke bërë çdo përpjekje që t’u sigurojmë kosovarëve të shpërngulur strehim, ushqim, dhe barna mjekësore, përpara se të vijë dimri i ashpër. Presidenti ka autorizuar së fundi, një ndihmë urgjente shtesë me vlerë 20 milionë dollar.
Elementi i tretë i politikës sonë, përqendrohet te roli i NATO-s për të stabilizuar rajonin dhe për të ndihmuar që të zgjidhet problem i Kosovës. Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s sapo kanë rishikuar planifikimin ushtarak të Aleancës dhe kanë rënë dakord që forcat e nevojshme duhet të identifikohen dhe të bëhen gati për veprim të mundshëm. Kjo duhet t’i japë një sinjal të qartë Serbisë se shkelja e të drejtës ndërkombëtare rrezikon të marrë një përgjigje nga NATO.
Unë dua që t’i përgjigjem një shqetësimit tuaj konkret dhe t’ju siguroj se politika jonë nuk varet te vullneti i mirë i Millosheviqit. Sulmet e fundit serbe pikërisht ndaj disa “pikave të kthimit [të të shpërngulurve]” të cilat vetë Serbia i ka caktuar vetëm sa përforcojnë atë që ne e dimë fare mirë: që marrëveshjet e Millosheviqit nuk janë për t’u besuar; se ne duhet të verifikojmë gjithshka në mënyrë të pavarur përmbushjen e premtimeve të tij. Në këtë kuptim, politika jonë humanitare nënvizon një rrjet të zgjeruar shpërndarjeje të ndihmës dhe jo nxitje për kthim në zona që janë të pasigurta. Ne po lëvizim operacionet e ndihmës afër vendndodhjeve të njerëzve të shpërngulur, që do të sjellë pakësimin e vonesave në postoblloqe, forcojnë fleksibilitetin e dërgimit të ndihmës, dhe zvogëlojnë mundësitë [serbe] për t’u përzjerë.
Unë e di se shumë kolegë të mi vlerësojnë dialogun konstruktiv që kanë pasur me ju dhe anëtarë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan për këtë çështje kyçe gjatë muajve të fundit.
Sinqerisht që shpresoj që duke punuar së bashku, të mund t’i japim fund gjakderdhjes dhe të vëmë në shina një proces që do të rikthejë të drejtat dhe liritë legjitime të popullit të Kosovës.
Sinqerisht,
Samuel R Berger
Ndihmësi i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare


