Prishtinë, 2 gusht 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë I Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë takuar në një darkë pune në Prishtinë me zëvendësndihmëssekretarin amerikane të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, të shtunën në mbrëmje. Në takim kanë marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëri të ditur se Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes
“Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve. Ai e falënderoi z. Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përgjatë viteve, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqe. Kryeministri gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar edhe më tej raportet me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Vetë Kurti, në një postim në Facebook, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të për Kosovën, duke theksuar se angazhohet “për miqësi edhe më të thellë, partneritet edhe më të gjerë dhe aleancë edhe më të forte”, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në një javë që është përcjellë me afirmim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, sonte mirëpritëm zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, David Baker dhe ekipin e tij, me të cilët diskutuam për raportet tona bilaterale dhe për bashkëpunimin që kemi e që do ta kemi veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Duke qenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës dhe popullit tonë, angazhohemi çdo ditë për miqësi edhe më të thellë, partneritet edhe më të gjerë dhe aleancë edhe më të forte”, ka shkruar Kurti.

Zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, u prit në Prishtinë me nderime të larta ushtarake. Ai u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Kabineti i Presidentes Osmani dhe ai i ministrit Maqedonci njoftuan se në të dy takimet është diskutuar për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes dhe në fushën e industrisë ushtarake.
Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial për prodhime ushtarake me mbështetjen e SHBA-së dhe të kompanive amerikane të industrisë së mbriojtjes.
Edhe Maqedonci ka thënë se në Kosovë ka potencial për zhvillimin e zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi të përkushtuar për të avancuar këtë partneritet në nivele edhe më të larta!”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Zëvendësndihmëssekretari Baker është takuar në Prishtinë edhe me Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Enrico Barduani.
KFOR-i bëri të ditur se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Në njoftim thuhet se z. Baker e ka rikonfirmuar “angazhimin e palëkundur të SHBA-së” për misionin e KFOR-it në Kosovë.
(r.m.)