Kurti: Armatimi i Serbisë shpërfaq rrezikun e destabilizimit të rajonit

Londër, 23 maj 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Mbrojtjes që po mbahet në Londër, ka pralajmërkuar rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor nga ndikimi serb dhe rus.

Zyra e kryeministrit të Kosovës njofton se kryeministri Kurti ka thënë se ky rrezik vjen nga zyrtarët e lartë të Serbisë, të cilët kanë qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit në fund të viteteve ’90, ndërsa sot janë aleatë të Rusisë dhe Kinës.

“Ndërkohë që Ballkani Perëndimor dhe rajoni në përgjithësi është zhvilluar me shpejtësi të madhe dhe ka ndryshuar në mënyrë domethënëse, kërcënimet kanë vazhduar të jenë të pranishme, dhe kjo jo pak për faktin që zyrtarë të lartë të regjimit të Millosheviqit që ishin në pushtet një çerek shekulli më parë edhe sot janë në pushtet në Serbi, përfshirë këtu presidentin aktual të Serbisë, por edhe për faktin se Serbia po krijon gjithnjë e më shumë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kurti ka thënë se armatimi i Serbisë shpërfaq aspiratat territoriale të saj.

“Lidhja e saj me Rusinë, qasja e saj shkatërruese ndaj Republikës sonë dhe armatimi i saj i shpejtë dhe i madh janë tregues se ajo synon përshkallëzimin me synimin për të realizuar ambiciet e saj territoriale. Tri nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, duke përfshirë 48 bazat operative përpara rreth kufirit të Kosovës, pa përfshirë njësitë tjera të specializuara, janë të stacionuara në territorin jugor, afër kufirit me Republikën e Kosovës. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është real”, ka thënë ai.

Kurti ka folur  për rolin kritik të NATO-s dhe të vendeve aleate në çlirimin e Kosovës 25 vjet më parë,dhe për rrezikun që paraqesin sot autokratët për sigurinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka folur për sulmin terrorist të grupit paramiltar serb në Banjskë, për incidentet dhe provokimet tjera në pjesën veriore të Kosovës. Ai theksoi se këto janë pasojë e tolerancës ndaj kërcëenimeve të hapura të Serbisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Kurti ka tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse për rolin e NATO-s dhe të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se sot në rajon është nevojshëm kohezioni dhe aleanca e vendeve demokratike që para 25 vjetësh i dha fund konflikteve të përgjakshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

“Sot është e nevojshme të ripërtërihet kohezioni dhe aleanca demokratike e para 25 vjetëve, në mënyrë që shtetet që mbrojnë vlerat demokratike, të mbyllin boshllëkun politik dhe praktik që i bën liderët autokratë të besojnë se sulmi ndaj një vendi tjetër evropian, apo çfarë do sulmi, është i mundshëm”, ka theksuar ai.

Kurti ka kujtuar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 e ka ndaluar gjenocidin e Serbisë së Millosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë, çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit demokratik të Kosovës.

“25 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është forcuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe tani është demokracia numër një në rajon, krahas përparimit ekonomik e shoqëror”, ka thënë ai.

(r.m.)