Prishtinë, 7 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se dëshmi për këtë është arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti.
“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë”, ka shkruar Kurti.
“AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm, aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues”, ka theksuar ai.
Kurti ka bërë të ditur se të arrestuarit për bashkëpunim me shërbimin sekret serb kanë qenë pjesë e përpjekjeve “për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së”, për “mohimin e masakrës së Reçakut”, për “infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit”. Ai ka kujtuar se njëri nga të dyshuarit e ka pranuar fajësinë.
“Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka theksuar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë.
Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit. Njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë.
AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm, aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues.
Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare.
(r.m.)