Kurti: Aspiratat territoriale të Serbisë minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon

Prishtinë, 18 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Kosovës e minojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë e rajon, por edhe përtej rajonit.

“Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare, e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë. Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm”, tha Kurti.

“Jemi gjithmonë të përkushtuar në ballafaqimin me sfidat aktuale në vend, por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët, veçanërisht me Serbinë, përmes dialogut dhe si palë të barabarta, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit dhe me njohje të ndërsjellë mes shteteve”, shtoi ai.

“Këto parime, për ne janë garanci e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”, theksoi Kurti, para zyrtarëve të sigurisë publike të 15 vendeve të botës që po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë rajonale e globale.

Kryeministri i Kosovës tha se institucionet e Kosovës angazhohen çdo ditë për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë. Ai theksoi se Kosova, si partner serioz dhe i besueshëm i aleatëve të saj, kontribuon për paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin.

“Ato janë të ndërtuara dhe operojnë në bazë të objektivave strategjike që parashohin veprime konkrete dhe ndarje të përgjegjësive, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, si edhe shtetin tonë”, theksoi kryeministri Kurti.

Kurti theksoi gjithashtu se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që bazohen në vlerat demokratike është i domosdoshëm për përballimin e sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet bota sot.

(r.m.)