Kurti: Avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s – hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit euro-atlantik

Prishtinë, 27 maj 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar hap të rëndësishëm ngritjen e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare (AP) të NATO-s nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar, duke theksuar se AP e bëri këtë “përkundër fushatës së Serbisë”.

“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook, të hënën.

Ai u ka shprehur mirënjohje vendeve aleate që e mbështetën avancimin e statusit të Kosovës”.

“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka shkruar ai.

Për avancimin e statusit të Kosovës në AP të NATO-s u vendos të hënën, në sesionin pranveror të kësaj organizate që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

Shumica e vendeve anëtare votuan për, një vend votoi kundër, kurse 14 vende bstenuan nga votimi.

(r.m.)