Kurti: Bashkëjetesa ndërfetare është ndër shtyllat themelore të shtetit e shoqërisë së Kosovës

Prishtinë, 16 prill 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në superlative për bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë.

Në hapje të tryezës me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”, të organizuar nga Fondacionit “Drita”, në bashkëpunim me bashkësitë fetare në Kosovë, Kurti ka theksuar përkushtimin e institucioneve shtetërore dhe të faktorëve politikë e jopolitikë për mbrojtjen dhe afirmimin e diversitetit kulturor e fetar në Kosovë.

“Në Kosovë, bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ajo mbetet një vlerë themelore e shoqërisë sonë, e cila ka kontribuuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit, duke dëshmuar që diversiteti apo llojllojshmëria nuk është burim ndarjeje, por pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar për brezat të cilët vijnë pas nesh”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se trashëgimia kulturore e fetare është “pasuri të përbashkët që i lidh komunitetet, forcon identitetin dhe nxit mirëkuptimin e ndërsjellë” dhe theksoi nevojën për mbrojtjen e kësaj trashëgimie.

“Politikat tona synojnë që ta mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe ta vënë atë në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror, gjithnjë duke respektuar e zbatuar lirinë fetare si e drejtë elementare njerëzore”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se qeveria e Kosovës ka investuar në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe fetare.

“Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, hamame, teqe, kisha katolike dhe ortodokse, qendra kulturore hebraike – si dhe monumente të tjera me vlerë historike, duke u kthyer në hapësira të gjalla të kujtesës, besimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve. Aty ku njerëzit bëhen bashkë, aty, ata do ta kenë gjithmonë pranë qeverinë”, ka theksuar ai.

Kurti e ka cilësuar diversitetin kulturor dhe fetar mbetet si njërën ndër shtyllat themelore të shtetit demokratik të Kosovës. Po ashtu e ka vlerësuar kontributin e komuniteteve në zhvillimin e prosperitetin e vendit.

“Kontributi i të gjitha komuniteteve fetare në jetën shoqërore, arsimore, kulturore është i çmuar dhe përbën pjesë të rëndësishme të zhvillimit e të përparimit tonë të përbashkët”, është shprehur Kurti.

Në tryezën me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”, ku morën pjesë udhëheqës e përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë, u therksua vullneti i përbashkët për ruajtjen dhe promovimin e vlerave univerzale të shoqërisë demokratike.

(r.m.)