Prishtinë, 31 maj 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme, si dy shtete të të njëjtit komb” duke theksuar se bashkërendimi dhe bashkëveprimi midis dy shteteve “nuk janë zgjedhje, por detyrë kombëtare”.
Kurti e ka shprehur këtë qëndrim në takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, në Prishtinë, të dielën.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëri të ditur se Kurti, ka theksuar rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëveprimit në fushë të politikës së jashtme dhe në procesin e integrimeve euro-atlantike të të dyja vendeve, si edhe për bashkëpunimin rajonal.
Në njoftim thuhet se Kurti ka folur për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si edhe për Sekretariatin Koordinues Ndërqeveritar.
Gjatë takimit është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, si në fushë të energjisë dhe infrastrukturës hekurudhore.
Ministri Hoxha është pritur edhe nga ushtruesja e detyrës së Prersidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Presidenca e Kosovës njoftoi se edhe në takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu ka theksuar se “afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve”.
Në njoftim thuhet se Haxhiu ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe”.
Ajo ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.
Ferit Hoxha është pritur në Prishtinë edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe liderët e partive parlamentare në Kosovë
Ferit Hoxha është emëruar minister për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë më 6 mars 2026.
(r.m.)