Kurti: BE e SHBA të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dosjeve për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë, 1 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

Të shtunën, gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti e ka veçuar dosjen e klasifikuar të Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila dyshohet për disa masakra të kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

“Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, në vitin 2014 është klasifikuar për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”,  ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se deklasifikimi dhe hapja e dosjeve të ushtrisë e të policisë serbe është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë.

“I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar ai.

Kurti ka reaguar edhe lidhur me arrestimin e serbit nga Kosova Marko Tepavac në Serbi, i cili dyshohet të ketë sinjalizuar vrasjen e 23 civilëve shqiptarë nga Mityrovica në prill të vitit 1999.

“Beogradi, në vend që të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës që janë kryer në Kosovë”, ka thënë Kurti.

“Në Serbi po arrestohen njerëz nën akuzat për spiunazh, vetëm sepse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë”, ka shtuar ai

(r.m.)

Comment

*