Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Prishtinë, 7 maj 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke theksuar se vendi nuk duhet të mbetet prapa në procesin integrues evropian.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, në një aktivitet të organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, ku u nda edhe Çmimi Evropian i Vitit, Kurti deklaroi se Kosova tashmë ka dëshmuar progres në ekonomi, demokraci dhe sundim të ligjit.

“Për Kosovën, Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët apo një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se mbi 80 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në BE, duke e cilësuar këtë si një nga nivelet më të larta të mbështetjes në Evropë.

Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në disa fusha kyçe, duke përmendur rritjen ekonomike, avancimin demokratik dhe sigurinë.

“Kemi një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor. Jemi në krye për avancimin demokratik sipas matjeve të World Justice Project, Freedom House, Transparency International dhe World Press Freedom Index”, deklaroi ai.

Sipas tij, Kosova tashmë ka marrë njohje në rrugën drejt integrimit evropian, duke përmendur liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022.

Kurti shtoi se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së dhe po punon në përmbushjen e obligimeve, ndonëse ka sfida për shkak të mosmiratimit të disa ligjeve në Kuvend.

“Besoj se BE-ja duhet të punojë së bashku për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duhet të ketë unitet angazhimi në BE në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa”, tha Kurti.

Në fund, ai theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së dhe reformat në Kosovë duhet të ecin paralelisht.

“Premtimi juaj është zgjerimi. Premtimi ynë janë reformat, dhe ne mundemi dhe duhet t’i realizojmë të dyja. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët”, përfundoi ai.

(EkonomiaOnline)

Comment

*