Prishtinë, 14 shtator 2026 – Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje liderëve të subjekteve politike që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Në mbledhjen e parë të kabinetit të sapozgjedhur qeveritar, Kurti ka thënë se marrëveshja e arritur me Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vihet në pikëpyetje nga disa deputetë të LDK-së dhe ka theksuar se do të ishte e pafalshme që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, siç është shprehur, “për të ardhur prapën në të njëjtën pikë”.
“Përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje serish për të ardhur prapën në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se arritja e kompromisit politik është e mundur. Sipas tij, dëshmi për këtë është konstituimi i Kuvendit.
Në fund të gushtit, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, arritën marrëveshje për propozimin e një kandidati jopartiak për President të Kosovës. Kryesitë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetën kandidaturën e profesorit të drejtësisë, Bekim Sejdiut, por 6 deputetë të LDK-së e kundërshtuan atë për arsye që ata i quajtën “parimore”. Por, në deklarimet e tyre publike dolën në pah përçarjet brenda LDK-së dhe hatërmbetja e tyre lidhur me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e kishte rrëzuar qeverinë kryeministër I së cilës ishte deputeti aktual i LDK-së, Avdullah Hoti.
Bekim Sejdiu është emër i respektuar në fushën e drejtësisë e të diploamcisë. Ai vlerësohet për punën e tij si profesor në Universitetin e Prishtinës, si diplomat i Kosovës në Turqi dhe në SHBA dhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
(r.m.)