Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Nju Jork

Nju Jork, 27 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vendosi lule dhe bëri homazhe në varrezat e vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit – të vrarë nga policia serbe para 26 vjetësh, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se vrasja e vëllezërve Bytyqi dëshmon për Me këtë rast, Kurti ka thënë se vëllezërit Bytyqi e dëshmojnë çmimin e lartë të lirisë që e gëzon sot populli i Kosovës

“Duke i kujtuar e përkujtuar dëshmorët e kombit, në këtë rast vëllezërit Bytyqi, ne ia përkujtojmë vetes sonë se sa i lartë ishte çmimi që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë dhe popullin që kemi, por njëkohësisht edhe ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të ecur përpara, në mënyrë që të arrijmë atë çfarë ata e kanë dashur e për të cilën janë flijuar. Yllin, Agronin dhe Mehmetin do t’i kujtojmë përgjithmonë dhe brezi ynë ka për detyrë që këtë ta bëjnë edhe brezat pas nesh”, citohet Kurti.

Vëllezërit Bytyqi – Ylli, Agroni dhe Mehmeti – janë shpallur heronj të kombit në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të njësitit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte formuar nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Amerikë. Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezërit e kishin kryer një akt shumë human. Ata e kishin përcjellë drejt Serbisë një familje rome nga Prizreni që po shkonte në Kralevë. Gjatë këtij udhëtimi, ata e kishin kaluar gabimisht kufirin me Serbinë, për çka ishin arrestuar nga policia serbe dhe ishin dënuar me 15 ditë burim nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple. Kur duhet të përfundonin dënimin dhe të liroheshin nga burgu, të tre vëllezërit Bytyqi ishin dërguar në një poligon trajnimi të policisë në Petrovo Sello, në veri të Beogradit, ku ishin vrarë me plumb pas koke dhe ishin groposur në një varr masiv, për t’i fshehur gjurmët e krimit shtetëror.

Në vitin 2001, trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Sello, ku ishin groposur bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Kur u gjetën ata ishin me duar të lidhura me tel dhe ekspertët e mjekësisë forenzike konstatuan se ata ishin vrarë nga afërsia me plumb pas kokës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga autoritetet e Serbisë zbulimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve dhe autorëve të këtij krimi shtetëror.

Dhoma Përfaqësuese i ka miratuar dy rezoluta lidhur me rastin e vëllezërve Bytyqi. Në to kërkohej që administrata amerikane të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë me ndriçimin e plotë të rastit dhe me nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij krimi monstruoz.

Urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi kanë qenë pjesëtarë të strukturës drejtuese të policisë së Serbisë, por autoritetet serbe as sot e kësaj dite nuk kanë shprehur gatishmëri të bashkëpunojnë me autoritetet amerikanë për nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

(r.m.)