Kurti: Besoj se Franca do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KE, pa parakushte të mëtejme

Prishtinë, 23 prill 2024 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është optimist se Franca do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), siç është shporehur, “pa parakushte të mëtejshme”.

Kurti, në një postim në platformën “X”, ka shkruar se këtë besim e ka shprehur në bisedën telefonike që ka zhvilluar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të martën.

“Në telefonatën me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do ta mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me votimin historik të Asamblesë Parlamentare. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti.

Presidenca e Francës ka bërë të ditur se Presidenti Macron ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe në Ohër, duke e vënë theksin në zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas njoftimit, Macron e ka vënë formimin e Asdociacionit në kontekst me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Presidenti francez e ka cilësuar si të domosdoshëm organizimin e zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe.

(r.m.)

Comment

*