Kurti bisedon me kancelarin Scholz, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KE

Prishtinë, 29 prill 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se me kancelarin gjerman Olaf Scholz e ka zhvilluar një bisedë telefonike. Ai ka bërë të ditur se gjatë bisedës e ka shfaqur shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) në përputhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së. Po ashtu, ka rikonfimuar angazhimin e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbisë, të dakorduar në Bruksel, në vjeshtë të vitit të kaluar.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe theksova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu, e rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përmes një kumtese për media, ka bërë të ditur se kryeministri Kurti ka theksuar se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë kontribut i rëndësishëm për promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe për avancimin e demokracisë kudo në Evropë.

“Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë”, citohet Kurti.

“Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë pasi ju garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në komunukatën e Zyrës së Kurtit.

Para dy ditësh, në Berlin, kryeministri Kurti ka biseduar për këtë temë edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Barbrock.

(r.m.)