Kurti bisedon me përfaqësuesit e QUINT-in për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin i Evropës

Prishtinë, 12 maj 2025– Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si edhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se temë kryesore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Më tej në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka paralajmëruar se me vonesat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës qytetarëve të Kosovës u mohohet e drejta për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova ishte afër anëtarësimit vitin e kaluar, por çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e la atë jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim me përfaqësuesit e QUINT-it është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Pas takimit, Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se inkurajuan formim të shpejt të institucioneve.

“Sot pasdite u takova me Kryeministrin në detyrë [Albin] Kurti së bashku me ambasadorët e tjerë të Quint-it. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur, për të vepruar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke bërë përparim në çështje thelbësore, siç janë zhbllokimi i fondeve dhe përparimi drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Hargreaves.

Prej disa javësh, përfaqësuesit politikë nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri më tani janë mbajtur 14 seanca, në të cilat deputetët kanë dështuar të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar udhëheqësit e partive politike në konsultime për gjetjen e zgjidhjes për ngërçin politik që ka çuar në bllokim të procesit tqë konstituimit të institucioneve të reja shtetërore në Kosovë.

(r.m.)