Kurti: Deri në fund të javës do të dihet nëse do të kemi apo jo marrëveshje për bashkëqeverisje

Prishtinë, 21 korrik 2025 – Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Por, tash për tash nuk mund të flasë për hollësi të përmbajtjes së bisedimeve që ka zhvilluar këtë fundjavë me liderin e Nismës, Fatmir Limaj.

“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj. Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë mund të flasim vetëm atëherë kur bisedimet të jenë të finalizuara me atë marrëveshje”, ka thënë ai”, tha Kurti gjatë një konference për media në Qeverinë e Kosovës.

Kurti tha se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik” në mënyrë që të krijohen institucionet e reja dhe theksoi se deri në fund të javës do të bëhet e ditur nëse do të ketë pse jo marrëveshje për bashkëqeverisje me këtë parti.

“Unë kam bërë një ofertë për Nismën dhe nuk do të mund t’i diskutoj elementet përbërëse para se të finalizohen ato biseda, sepse punoj që kjo të bëhet në këtë fundjavë. Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose do ta kemi lajmin për mungesën e saj”, u shpreh ai.

Kurti tha se nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, deri më 26 korrik. Ai tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka sqaruar se çfarë pasojash sjell dita e 31-të, por shprehu bindjen se zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike mund të gjendet vetëm në tryeza politike.

“Kushtetuesja nuk ka thënë se çfarë ndodh pas këtyre 30 ditëve. Ajo ka thënë diçka që është e arsyes së shëndoshë. Për mosmarrëveshjet politike nuk është adresë gjykata, por tryeza e partive. Ne nuk u morëm vesh dhe tash nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 30 ditësh”, tha Kurti.

Ai theksoi se ndërkohë qeveria “do të vazhdojë të funksionojë me kompetenca të kufizuara, por me angazhim të plotë përballë detyrave të shumta që i ka vendi”.

Kurti i bëri këto komente pak pas dështimit të përpjekjes së 50-të për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe as këtë herë nuk votuan për formimin e komisionit që do t’i hapte rrugë votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Këto parti e kundërshtojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke e cilësuar atë si “figurë përçarëse”. PDK-ja e AAK-ja  thonë se do të votonin për një kandidat tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa LDK-ja thotë se nuk do të votojë asnjë kandidast të propozuar nga LVV-ja.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

(r.m.)