Prishtinë, 26 gusht 2026 – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u takuan të mërkurën pasdite në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Pas takimit gati tre orësh, ata njoftuan se këtë herë kanë biseduar për “emra konkretë” të kandidatëve për presidentin e ardhshëm, por nuk kanë arritur pajtim për një kandida që do të kishte mbështetjen e të dyja palëve.
Kurti dhe Abdixhiku thanë se megjithatë do të vazhdojnë të bisedojnë për të arritur pajtim për një kandidat konsensual.
“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti.
Por, as Kurti dhe as Abdixhiku nuk pranuan të bëjnë publikë emrat e përmendur në takim.
“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, tha Kurti.
Ai nuk pranoi të flasë as për profilet e kandidatëve të përmendur.
“Të gjithë janë në përputhje me atë qe jemi pajtuar sa i përket kritereve, standardeve, parimeve, vlerat, meritave dhe kontributeve”, tha Kurti.
“Pra, të gjithë janë personalitete të mira, ka edhe shumë të mira, por ne duhet ta zgjedhim atë që është I shkëlqyeshëm ose e shkëlqyeshme”, shtoi ai.
Edhe Abdixhiku tha se emrat për të cilët është diskutuar në takim janë “në vijë me parimet e dakorduara deri më tani”, por nuk tregoi se cilët ishin ata, siç u shpreh, “për shkak të ndjeshmërisë së procesit”.
Ai konfirmoi se me Kurtin janë marrë vesh të takohen përsëri për të arritur pajtim për presidentin e ardhshëm.
“Do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës”, u shpreh ai.
As Kurti dhe as Abdixhiku nuk treguan se sa “emra konktretë” janë propozuar dhe nga cila parti janë propozuar ata.
Në takimin e fundit, Kurti dhe Abdixhiku patën deklaruar se propozimet e kandidatit apo kandidatëve për president të ri të vendit do të dalin pas diskutimeve të brendshme të të dy partive.
Sipas zhvillimeve të deritashme politike, marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për presidentin është mundësia e vetme për evitimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme. LVV-ja, bashkë me subjektet me të cilat ka qeverisur në mandatin e kaluar, i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë së re, por nuk i ka votat e nevojshme për votim të vlefshëm për pzgjedhjen e presidentit. Në qoftë se nuk arrij t’i bindë të votojnë të gjithë deputetët e LDK-së, 18 sish, ose votat e po kaq deputetëve të tjerë Kosova shkon përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Tash për tash, të gjitha partitë parlamentare kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve të tjera të parakohshme, për shkak se nuk presin që ato të prodhojnë rezultate që do ta ndryshonin raportin e forcave në Kuvend.
(r.m.)