Kurti dhe Abdixhiku takohen sërish për të diskutuar për formimin e institucioneve

Prishtinë, 7 gusht 2026 – Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po takohen në tentim për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve. Takimi i tyre vjen disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Një ditë më parë, Kurti kërkoi nga kryesuesi Avni Dehari, për të shtyrë seancën konstituive të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike që do të jepte një zgjidhje për çështjen e presidentit.

Abdixhiku tha para takimit me Kurtin që duhet të ketë seancë konstituive dhe Kosova të ketë kryeparlamentar dhe nënkryetarë kuvendi.

“LDK as s’ka kërkuar as nuk kërkon që të bëhen vonesa të tilla. Kjo është përgjegjësi e partisë së parë që ka kryesuesin. Nëse është bërë për taktikë negociuese, LDK as nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet”, tha ai.

LDK së voni ka bërë publik qëllimin se e dëshiron postin e presidentit, teksa Kurti ka insistuar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jopartiake.

Vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.

Dy partitë e tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në negociata me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.

Më herët gjatë ditës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një shkrese, refuzoi sërish takimin me Kurtin. Ai i është përgjigjur pozitivisht vetëm ftesës së parë të Kurtit dhe pas takimit të tyre më 10 korrik, Hamza deklaroi se partia e tij do të mbetet në opozitë.

Aleanca, ndërkaq, ka refuzuar të gjitha ftesat për takim, duke argumentuar se veçse ka paraqitur disa pika për LVV-në, të cilat nëse përmbushen, Kurti do të ketë shtatë votat e Aleancës për formimin e institucioneve.

Pas shtyrjes së seancës konstituive më 6 gusht, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.

Nëse partitë nuk arrijnë një ujdi për krijimin e institucioneve, atëherë vendi rrezikon të mbajë zgjedhje të reja – që do të ishin të katërtat në gati dy vjet.

(Radio Evropa e Lirë)