Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë

Bruksel, 2 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e miratuan të martën Deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, tha se BE-ja mirëpret miratimin e kësaj deklarate dhe bëri të ditur se të dyja palët janë zotuar të pajtohen për “detajet operacionale” në takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja…pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, tha Borell pas miratimit të deklaratës.

Ai shpjegoi se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit, i kryesuar nga BE-ja, që e mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të Aneksit të zbatimit të marrëveshjes do të monitorojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me çështjen e të zhdukurve.

Deklarata e miratuar nga Kurti e Vuçiqi nuk është bërë ende publike, prandaj mbetet e paqartë nëse në deklaratë përdoret ose jo togfjalëshi “të zhdukur me dhunë”. Kryeministri i Kosovës ka thënë se në deklaratë përdoret ky formulim, kurse Vuçiqi ka thënë se Serbia refuzon ta pranojë këtë formulim, sepse kështu do ta merrte përgjegjësinë për personat e zhdukur në Kosovë.

Çështja e të zhdukurve është përfshirë në nenin 6 të Marrëveshjes bazë, me të cilën Kurti dhe Vuçiqi ishin pajtuar në Bruksel, si edhe në Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes bazë, të miratuar në Ohër. Në pikën e katërt të Aneksit thuhet se palët “pajtohen ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si çështje urgjente”.

Kjo ishte pika e parë e rendit të ditës të takimit të Kurtit e Vuçiqit që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Në takimin e sotëm palëve do t’u prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo, me siguri, do të jetë pika më e nxeehtë e takimit, duke marrë parasysh qëndrimet diametralisht të ndryshme të palëve.  Serbia këmbëngul që Asociacioni të ketë komtetenca ekzekutive, ndërsa Kosova e përjashton çfarëdo Acoacioni që senon rendin kushtetues të Kosovës.

(r.m.)