Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

Bruksel, 27 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pritet që pasdite të takohen në Bruksel për të diskutuar një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Të dy udhëheqësit tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Diplomatët perëndimorë presin që sot ata zyrtarisht t’i thonë po propozimit, që sipas zyrtarëve të BE-së është i panegociueshëm dhe të përfshihen në diskutime për zbatimin e tij. Perëndimorët ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.

Një zyrtar i lartë evropian tha gjatë javës se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.

Megjithëse pritet pajtimi zyrtar, vështirë që të hënën të hidhet ndonjë nënshkrim, i cili mund të ndodhë më vonë gjatë muajit mars, në praninë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë në prag të takimit se presin përparim në takim si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po përballen me kritika në vendet e tyre për shkak të qëndrimit ndaj propozimit evropian. Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për dështim në proces.

Presidenti serb tha të hënën para së të nisej për në Bruksel se “nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet e ’90-ta. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”.

Në Kosovë një pjesë e opozitës tha se ka shumë paqartësi që lidhen me takimin e së hënës dhe propozimi nuk siguron marrëveshjeve përfundimtare por krijim të një “status-quoje” të re.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës së kaluar se “aleatët e Kosovës e kanë hartuar propozimin si një paketë …. që përfshin gjithashtu njohjen de facto (nga Serbia)”.

Kosova pak ditë më parë kremtoi 15 vjetorin e pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Që nga viti 2011 të dyja vendet janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat siguruan një sërë marrëveshjesh, por nuk përmbushën synimin kryesor të tyre – normalizimin e marrëdhënieve.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje të përmbyllë problemet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më një marrëveshje të ndërmjetme, mes firkës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin që ende po ripërtërihet nga pasojat e luftërave të viteve të 90-ta.

(Zëri i Amerikës)