Kurti dhe Vuçiqi do të takohen në Ohër, më 18 mars

Bruksel, 2 mars 2023 – Takimi i radhës i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian në Bruksel, të enjten.

Në këtë takim, i cili  do të organizohet nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, liderët e dy shteteve do të diskutojnë për planin e zbatimit të marrëveshjes së bazuar në propozimin evropian.

Sipas skenarit të dëshiruar të ndërmjetësit të dialogut, në këtë takim dy liderët do të pajtohen me aneksin marrëveshjes që përfshin një kalendar të qartë për përmbushjen e të gjitha elementeve të marrëveshjes.

Ky zyrtar evropian tha se pwrfaqwsuesi i lartw i Bashkimit Evropian pwr Politikw tw Jashtme e Siguri, Joseph Borrell, i ka njoftuar Kurtin dhe Vuçiqin se si do të raportojë për rezultatet e dialogut Kosovë – Serbi në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 20 mars, dhe në takimin e Këshillit Evropian, më 24 mars.

“Borrell do të njoftojë për suksesin ose, në rast të dështimit, për arsyet e dështimit”, ka thënë ky zyrtar.

“Të dy liderët e kanë kuptuar mirë këtë mesazh, sepse vendet anëtare i kanë në duar shkopin dhe karotën dhe ato do të vendosin se cilën dhe si do t’i përdorin”, ka theksuar ai.

Për Bashkimin Evropian, diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur, pasi Kurti e Vuçiqi, në takimin e mbajtur të hënën, më 27 shkurt, në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit.

Një burim brenda Bashkimit Evropian, ka thënë se vendimi për publikimin e tekstit të propozimit ka qenë i Borrellit, por me këtë janë pajtuar edhe palët.

(r.m.)