Kurti diskutoi me kongresistët Turner dhe Norcross për fuqizimin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA

Prishtinë, 24 nëntor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kza pritur sot një delegacion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve (House Armed Services Committee) që kanë luajtur rol të rëndësishëm në angazhimin ushtarak të SHBA-së me NATO-n.

Zyra e kryeministrit njofton se pikë qendrore e diskutimeve në këtë takim ka qenë “fuqizimi i marrëdhënieve Kosovë–SHBA, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes”.

“Kryeministri njoftoi se në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së, përfshirë edukimin ushtarak në West Point dhe U.S. Army War College. Gjithashtu, Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të ushtrimeve ushtarake Defender Europe. Në edicionin e fundit, përkatësisht në Defender Europe 2025, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë e vendosur në aeroportin tonë ushtarak në Gjakovë, prej nga ka drejtuar të gjitha brigadat që kanë operuar në Evropën Juglindore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti ka folur për investimet dhe për kapacitetet mbrojtëse të Kosovës, Ai e ka veçuar prokurimin e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemeve anti-tank “Javelin” si dhe faktin që Kosova ka nënshkruar edhe Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, duke u bërë vendi i 33-të në botë me këtë status të besueshëm.

Kurti ka thënë se anëtarësimi në NATO dhe BE është objektiv kryesor i Kosovës.

“Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj euro-atlantik dhe në synimin për anëtarësim në NATO dhe në BE, jo vetëm si përfituese nga ombrella e sigurisë, por edhe si kontribuuese në paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, ka thë ai.

Kabineti i Kurtit njofton se në takim është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së, sidomos në fushën e energjisë dhe të teknologjisë, por edhe në projekte të mëdha infrastrukturore si ato në transportin hekurudhor.

Në njoftim thuhet se Kurti e ka theksuar edhe  përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës vitet e fundit. Ai, duke iu referuar raporteve të organizatave ndërkombëtare, ka theksuar se Kosova “vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah”.

Ai ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik, për rolin aktiv dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës.

(r.m.)

Comment

*