Prishtinë, 17 korrik 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të Bashkimit Evropian për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim edhe për vetura.
Në takimin e 17 korrikut, sipas njoftimit për media të lëshuar nga Zyra e Kurtit, në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë është trajtuar “rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim”.
Sipas Qeverisë, hapje e urës mbi Ibër do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë dhe tregut “përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.
Në fund të majit, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për trafik.
Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.
Në prill të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi që ura të hapej edhe për trafik. Por, vendimi nuk është zbatuar ende.
Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi në fund të majit zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.
Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër.
(Radio Evropa e Lirë)