Kurti: Do të përgatisim padi ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë

Prishtinë, 7 maj 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se qeveria e tij ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë pas miratimit të programit të punës së qeverisë së tij për katër vitet e ardhshme, duke theksuar se çështja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë edhe një nga përparësitë punës.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë tonë ,që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha ai.

Zoti Kurti e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë edhe më parë, duke nxitur reagimin e Serbisë, presidenti i së cilës, Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëj një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, i tha ai një televizioni serb dy ditë më parë.

Kryeministri Kurti tha se “përgatitjet janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan.

Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

(Zëri i Amerikës)