Prishtinë, 18 gusht 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, po vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e ngërçit politik që do të mundësonte përfundimin me sukses të procesit të formimit të institucioneve kryesore të shtetit.
Urti dhe Abdixhiku kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës rreth orës 16:00.
Kurti shoqërohej nga nënkryetarja Arbërie Nagavci dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Abdixhiku shoqërohej nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri.
Para takimit, Kurti është shprehur optimist për epilogun e takimit me përfaqësuesit e LDK-së.
“Do të takohemi me udhëheqjen e LDK-së, në krye me Lumir Abdixhikun dhe do të shohim se si do të mund të ecim përpara bashkë, që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së njëmbëdhjetë, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë positive, si gjithmonë”, ka deklaruar Kurti.
Takimi mbahet pak orë pasi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ka ardhur koha që LVV e LDK të flasim me emra konkretë për zgjedhjen e “një presidenti konsensual”.
Kjo është hera e pestë që Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë për procesin e formimit të institucioneve. Ata, të dy, kanë diskutuar për mundësinë e bashkëqeverisjes, por, siç e konfirmuan vetë pas takimit të katërt, nuk kanë arritur pajtim për ndarjen e pushtetit.
Kurti dhe Abdixhiku konfirmuan se ata kanë mbajtur qëndrime të papajtueshme për pozitën e presidentit. I pari ka thënë se kërkesa e LDK-së për postin e presidentit është “joproporcionale” me rezultatin e kësaj partie në zgjedhje, ndërsa i dyti ka thënë se LDK-ja insiston në krijimin e “balancës” së pozitave më të larta shtetërore.
(r.m.)