Kurti e Golob bisedojnë për çështje me interes dyalësh e rajonal

Bled, 28 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën nikoqirin e Forumit të Sigurisë në Bled, kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kurti e ka vlerësuar mbështetjen e shumanshme të Sllovenisë për Kosovën. 

“Sllovenia ka strehuar disidentët tanë të parë, na ka ndihmuar në betejën tonë çlirimtare dhe tani është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë tonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve dhe për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë.

“Duke folur për potencialin e bashkëpunimit ekonomik, kryeministri Kurti vuri theksin te mundësitë që Kosova ofron për investitorët huaj. Pozita e përshtatshme gjeografike, politikat e favorshme fiskale, stabiliteti institucional dhe potenciali i fuqisë punëtore e bëjnë Kosovën vend atraktiv për investimet sllovene, tha kryeministri gjersa veçoi sektorët në rritje sikurse ai ICT-TIK, përpunimit të drurit dhe metalit dhe prodhimit të ushqimit”, thuhet në njoftim.

Kurti e Golob kanë biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, për dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për perspektivën e anetaresimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

(r.m.)