Kurti e Konjufca e kritikojnë ashpër Gjykatën Kushtetuese për masën e përkohshme ndaj Kuvendit

Prishtinë, 7 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur si “hije politike të opozitës” ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku u votua për mandar për formimin e qeverisë së re, ai e ka cilësuar “shumë absurde” dhe “shumë të dëmshme” vendosjen e masës së përkohshme në Kuvendin e Kosovës nga Gjykata Kushtetuese.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore, por që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vonesa e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar pasoja të shumëfishta.

“Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se masa e përkohshme e ka bllokuar edhe procedurën për formimin e qeverisë së re, për çka i ka akuzuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se shumica e gjyqtarëve janë të afërt me partitë shqiptare opozitare dhe me Listën Serbe.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti.

Me gjuhë edhe më të ashpër për Gjykatën Kushtetuese është shprehur edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai e ka cilësuar si “tradhti shtetërore” një vendim eventual të Kushtetueses që do t’i jepte të drejtë Listës Serbe ta mbajë peng procesin e konstituimit të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë i Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por, skenari i tretë, të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm, një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë ai,

Konjufca i ka kritikuar edhe partitë opozitare që, sipas tij, nuk po e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Me apo ndoshta pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje qysh prej certifikimit të zgjedhjeve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend”, ka thënë ai.

Të premten, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme që e ndalon çfarëdo veprimi të deputetëve të Kuvenditt ë Kosovës derisa të bëhet vlerësimi i pretendimeve të Listës Serbe se votimi veçmas për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit përbën shkelje kushtetuese. Me këtë masë, pezullohet edhe procesi për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. 

Masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese do të jetë në fuqi deri në fund të shtatorit, kur pritet një aktgjykim përfundimtar. 

(r.m.)