Kurti e Kyriakos biseduan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për tema tjera “të interesit të përbashkët”

Athinë, 22 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur të martën nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në pallatin Maximos, në Athinë.

Zyra e Kryeministrit Kurti njofton se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për të tjera “tema të interesit të përbashkët”.

“Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Kyriakos e Kurti kanë biseduar edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.

“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. ‘Pra, kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm’”, citohet Kurti.

Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka falënderuar kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën e mbrëmshme, në të cilën ishin të pranishëm liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Kryeministri Mitsotakis e ka falënderuar Kurtin për pjesëmarrjen në darkë dhe ka shprehur interesimin për forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

(r.m.)