Kurti e Lordi Peach bisedojnë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Prishtinë, 12 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Zyra e Kryeministrit Kurti ka njoftuar se ata kanë diskutuar për takimin e nivelit të lartë që do të zhvillohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të enjten.

Sipas njoftimit gjatë bisedës është theksuar nevoja për zbatim të shpejtë, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel. U theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër. Ata po ashtu folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se Kryeministri Kurti e ka falënderuar Lordin Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.

(r.m.)