Kurti e Macron bisedojnë për sigurinë e Kosovës dhe për raportet me Serbinë

Paris, 27 mars 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi të premten një takim me drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize,në Paris.

Zyra e kryeministrit Kurti njoftoi se gjatë takimit është diskutuar për sigurinë në Kosovë dhe për raportet mes Kosovës e Serbisë.

“Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, thuhet në njoftim.

“U theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar përkushtimin e Kosovës për integrim në strukturat evropiane dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Zyra e kryeministrit Kurti tha se në takim me presidentin Macron është biseduar edhe “për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë”.

“Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës”, thekson Zyra e Kurtit.

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri francez i deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

Kurti është pritur me ceremoni shtetërore në Pallatin Elize, në Paris.

Të enjten, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për takimin e sotëm të Kurtit me Presidentin Macron, ka thënë se nga “njerëz rreth Kurtit” e kishte mësuar edhe agjendën e bisedës së Kurtit me Macronin.

“Kurti ka katër tema dhe dy kërkesa”, ka thënë Vuçiq, në një intrvistë për televizionin “Prva”.

Vuçiq ka thënë se Kurti mund të kërkonte mbështetjen e presidentit francez për disa veprime, siç është shprehur ai, “kundër popullit serb” në Kosovë. Sipas tij, Kurti do të kërkonte në Paris që Franca të mbështesë tërheqjen e KFOR-it nga zona kufitare me ashtu që Kosova “të mund të sjellë Forcat e Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë” dhe që Serbia të mos lejohet që t’i përdorë kurrë armët kundër Kosovës.

“Shpresoj që askush në NATO nuk do ta mendojë ta mbështesë këtë kërkesë. Jam i sigurt se miku im Macron nuk do ta mendojë ta mbështesë. Do të ishte sulm direkt për paqen, popullin tonë, gjithë Serbinë dhe jam i sigurt se nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq.

(r.m.)