Prishtinë, 16 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo duhet t’i bëhet trysni Beogradit. Ai ka thënë se për zbatimin e marrëveshjes bazike me Serbinë e mirëpret rolin e SHBA-së, të cilën e cilësoi si “aleatin kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special” të Kosovës.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, ka deklaruar ai.
Kurti e ka bërë këtë deklaratë duke e komentuar deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me konfliktin midis Izraelit e Iranit, në të cilën përmendi edhe tensionet mes Kosovës e Serbisë.
Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ka ndaluat atë, duke shtuar se ish-Presidenti Joe Biden “e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë, me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Kurti ka theksuar se për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, të nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit dhe anekjsin e zbatimit të saj dhe të tërheqë letrën në të cilën thuhet se Serbia nuk e rerspekton integritetin territorial të Kosovës.
“Natyrisht, për të normalizuar marrëdhëniet mes të dy vendeve tona është e domosdoshme që ata [autoritetet e Serbisë] së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve tona Milan Radoiçiqin, kryekriminelin i cili na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, më pastaj të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit dhe, njëkohësisht, ta tërheqin atë letrën e dhjetorit të vitit 2023 kur ish-kryeministrja [Ana] Bërnabiq pati thënë se nuk e respekton integritetin territorial Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kurti ka kërkuar vazhdimisht nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, të arritur në Bruksel. Por, Serbia refuzon ta bëjë këtë, ndonëse Bashkimi Evropian, si ndërmjetës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thotë e zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i obligueshëm për të dyja palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.
(r.m.)