Kurti e Mitsotakis biseduan për rritje të bashkëpunimit mes Kosovës e Greqisë

Nju Jork, 26 shtator 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, janë takuar të enjten në Nju Jork.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se ata kanë biseduar “biseduan rreth avancimit të marrëdhënieve diplomatike dhe hapësirave për rritje të bashkëpunimit e angazhimit të dyanshëm”.

“U veçuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushat e arsimit dhe kulturës, si dhe në rrafshin ekonomik dhe tregtar e mundësitë për investime në Kosovë, fusha nga të cilat do të kishte përfitime reciproke”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Kurti, gjithashtu përmendi efektet pozitive të arritjes së liberalizimit të vizave, ku tashmë shumë qytetarë tanë krahas qendrave tjera evropiane kanë destinacion të vizitave e qëndrimeve të tyre afatshkurtra edhe qytete të Greqisë”, thuhet më tutje në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua edhe me Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, Princin e Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch, dhe Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

(r.m.)

Comment

*