Kurti e Pierce biseduan për marrëdhëniet mes Kosovës e Britanisë dhe për Procesin e Berlinit

Prishtinë, 15 korrik 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, në një darkë pune në rezidencën e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Kryeministri Kurti dhe emisarja Pierce diskutuan së bashku mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë diskutimit për përgatitjet për samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet në Londër, Kurti e ka theksuar domodsdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi.

“Në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të zhvillohet në tetorin e këtij viti në Londër, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, si jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes”, thuhet në njoftim.

Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.

E Dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, është takuar të hënën me liderë të subjekteve kryesore politike në Kosovë. Ndër të tjera, ajo e ka cilësuar të rëndësishëm për proceset në Kosovë krijimin sa më parë të institucioneve të reja shtetërore.

Karen Pierce ka qenë Përfaqësuese e Përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork prej marsit të vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2025.

Në debatet për Kosovë, të mbajtura në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo ka qenë mbështetëse e madhe e procesit të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në disa debate, ajo ka kërkuar përfundimin e misionit të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, duke e cilësuar si të panevojshëm dhe jofunksional.

(r.m.)