Kurti e shkarkon zv/ministrin Vokrri pas deklaratës se ndërkombëtarët, në disa raste, kanë nxitur trazira në veri

Prishtinë, 23 maj 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Vokrri është liruar nga detyra e zëvendësministrit, për shkak se një ditë më parë ka deklaruar se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,” me veprimet e tyre, kanë nxitur trazira” në veri të vendit.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit”, mthuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Në njoftim thuhet se deklarimet e Vokrrit “nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Të enjten, në një intervistë në KTV, Vokrri ka thënë se njëri ndër diplomatët ndërkombëtarë “që kanë nxitur trazira” në veri është shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar, në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre, kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira”, ka deklaruar Vokrri.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare “do të duhej të ndërtonte raporte më të afërta me qytetarët serbë që janë të interesuar të bëjnë jetë normale në Kosovë”.

Nga kjo deklaratë është distancuar qysh të enjten ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se kjo deklaratë është e papranueshme dhe nuk e paraqet qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Qeverisë në detyrë lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës.

“Distancohem nga kjo deklaratë. Nuk e di saktësisht çka ka thënë. Por, nëse është kështu, unë distancohem. Ky nuk është qëndrim i yni. S’është qëndrim i Vetëvendosjes, s’është qëndrim i qeverisë:, ka thënë ministrja Haxhiu, po në KTV.

(r.m.)

Comment

*