Kurti e vlerëson rolin e NATO-s në Kosovë: “Paqja është punë e vështirë dhe dinamike – ajo duhet të ruhet vazhdimisht”

Prishtinë, 5 korrik 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një opinion të botuar në “The New York Times” në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet në Uashington më 11 korrik, e ka vlerësuar rolin e aleancës veri-atlantike në çlirimin e Kosovës dhe në sigurinë e saj.

Në opinionin me titull “Mos dyshoni në NATO-n. Ajo e shpëtoi popullin tim”, Kurti ka theksuar se NATO tashmë është bërë pjesë e identitetit kulturor dhe politik të Kosovës.

“Disa në Shtete të Bashkuara e kanë minimizuar rëndësinë e NATO-s. Shumë partnerë europianë shqetësohen se pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, angazhimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet. Por, derisa NATO përgatitet për fillimin e samitit në Uashington të martën, duke shënuar 75 vjet nga lindja e saj, unë do të doja t’i kujtoja botës se si NATO është ngulitur në identitetin kulturor dhe politik të një vendi në Europë: timin, Kosovës”, ka shkruar ai.

Pastaj ka kthyer në kujtesë arsyet për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitit 1999,

“Shtrirja e mizorisë kërkonte një përgjigje të fortë”, ka theksuar ai.

Kurti e ka vlerësuar misionin e NATO-s në Kosovë.

“Prania e NATO-s siguroi paqen dhe na lejoi të rindërtonim. Trupat e saj e mbronin kufirin tonë, por na ndihmuan edhe të mbrohemi, duke përfshirë edhe ngritjen e ushtrisë sonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Por, Kurti ka paralajmëruar se rreziqet për paqen e sigurinë në Kosov՞ nuk kanë kaluar.

“Paqja është punë e vështirë dhe dinamike – ajo duhet të ruhet vazhdimisht”, ka theksuar ai.

Kurti ka paralajmëruar se rreziqet për sigurinë në Kosovë janë në rritje dhe ka kujtuar se vitin e kaluar, pas sulmit të grupit paraushtarak serb në Bansjkë, NATO ishte e detyruar të shtonte numrin e forces së saj në Kosovë për shkak të kërcënimeve nga Serbia.

Ai ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e hapjes së një fronti të ri të luftës në Ballkan.

“Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë”, ka theksuar ai.

“Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po përballemi sërish me luftë dhe kërcënime lufte në Europë. Këtu, paqja mbështetet vetëm nga aftësia jonë për ta mbrojtur atë kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe kërcënimi i një sfide të tillë është më real se kurrë”, ka theksuar Kurti, në mbyllje të opinionit të tij “Mos dyshoni në NATO-n. Ajo e shpëtoi popullin tim”.

 

Opinioni i plotë i Albin Kurtit për “The New York Times” (publikuar në shqip nga Kallxo.com):

 

Mos dyshoni në NATO-n. Ajo e shpëtoi popullin tim

Disa në Shtete të Bashkuara e kanë minimizuar rëndësinë e NATO-s. Shumë partnerë europianë shqetësohen se pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, angazhimi amerikan ndaj aleancës do të zbehet. Por, derisa NATO përgatitet për fillimin e samitit në Uashington të martën, duke shënuar 75 vjet nga lindja e saj, unë do të doja t’i kujtoja botës se si NATO është ngulitur në identitetin kulturor dhe politik të një vendi në Europë: timin, Kosovës.

Në vitin 1999, një fushatë e pamëshirshme serbe e udhëhequr nga udhëheqësi serb dhe presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq solli masakra, përdhunime dhe dëbimin e rreth gjysmës së popullsisë shqiptare të Kosovës. Ishte një fatkeqësi humanitare. Bombardimet e vazhdueshme ajrore të NATO-s ndaj forcave dhe pozicioneve serbe i dhanë fund tmerrit. Më pas, aleanca dërgoi gati 50,000 trupa menjëherë.

Kush nga qytetarët e mi do të mund ta harronte pamjen e ushtarëve të NATO-s që brohoriteshin kur mbërritën? Gjatë 25 viteve të fundit, derisa NATO ndihmoi në çlirimin e Kosovës dhe ruajti paqen, ne ndërtuam demokracinë për të nxitur këtë paqe nga brenda. Ne shpallëm pavarësinë tonë në 2008, një ide që do të rezonojë me amerikanët që sapo kanë festuar Ditën e Pavarësisë. Shumica e botës tani e njeh kombin e njohur si ‘Kosovo’ edhe pse unë preferoj drejtshkrimin shqip, ‘Kosova’.

Nuk kishte dyshim për ne, duke pasur parasysh kujtimet e freskëta të gjenocidit në Ruandë dhe Bosnje, se situata në Kosovë do të ishte përkeqësuar me shpejtësi pa NATO-n. Si kosovar, është e dhimbshme edhe të imagjinosh se sa më keq mund të ishte bërë.

Që në fillim, ndërhyrja e NATO-s ishte humanitare. Por një ndërhyrje humanitare u shërben gjithashtu interesave kombëtare, sado që ne do të donim t’i konsideronim ato si të dallueshme. Paqja në Europë dhe ndalimi i vuajtjeve njerëzore u shërbenin interesave kombëtare të anëtarëve të NATO-s. Konflikti në Ballkan rrit rrezikun e përhapjes në Europën Perëndimore, jo vetëm përmes krizave të refugjatëve, por edhe duke tërhequr lojtarë të huaj në këtë kufi historikisht të rëndësishëm gjeopolitik, duke kërcënuar sigurinë e Europës.

NATO nuk është një entitet abstrakt që vepron më vete. Kërkon vullnet politik. Në rastin e Kosovës, ne kishim vullnetin politik të shumë fuqive të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, fuqinë më të madhe ushtarake të NATO-s. Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright e njihte rajonin dhe tmerret e luftërave evropiane. Pavarësisht se ishte i lidhur fort me administratën e Klintonit, ndërhyrja ishte dypartiake. Në Kongres, senatori Bob Dole, një republikan, ishte një avokator i fortë.

Ndërhyrja ushtarake duhet të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit, dhe në Kosovë ishte. Takimet e nivelit të lartë dështuan vazhdimisht, duke përfshirë bisedimet në Kështjellën e Rambujesë në Francë midis përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë dhe zyrtarëve amerikanë, europianë dhe rusë. Diplomacia ishte shteruar ndërkohë që vriteshin njerëz. Lufta në Kosovë ishte e katërta që Millosheviqi kishte bërë në ish-Jugosllavi.

Shtrirja e mizorisë kërkonte një përgjigje të fortë. Pas 78 ditësh bombardime ajrore, sulmi më i madh ushtarak i aleancës që nga themelimi i saj në 1949, forcat e armatosura serbe u tërhoqën. NATO qëndroi në Kosovë dhe kthimi i refugjatëve pasoi nën administrimin dhe mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Prania e NATO-s siguroi paqen dhe na lejoi të rindërtonim. Trupat e mbronin kufirin tonë, por gjithashtu na ndihmuan të mbrohemi, duke përfshirë edhe ngritjen e ushtrisë sonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës. Misioni fillestar u nda midis Francës në veri, Italisë në perëndim, Gjermanisë në jug dhe Shteteve të Bashkuara në lindje, me Mbretërinë e Bashkuar në lindjen qendrore. Me kalimin e viteve, ndërsa stabiliteti ynë u rrit, NATO reduktoi në mënyrë drastike trupat e saj nga 50,000 fillestare në disa mijëra.

Perëndimi duhet të jetë krenar për këtë arritje. Kosova tani njihet si demokracia më e lartë në Ballkanin Perëndimor. Ky transformim nuk ishte bërë vetëm fal NATO-s; kërkoi përpjekje nga shumë parti dhe, më e rëndësishmja, vendosmëria e popullit kosovar që u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësisht që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë pjesë. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike – ajo duhet të ruhet vazhdimisht.

Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’. Vitin e kaluar NATO rriti numrin e trupave e nga 3,770 në rreth 4,500 mes kërcënimeve në rritje.

Sfidat politike mbeten gjithashtu. Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër i propagandës nën Millosheviçin, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi një rikthim në politikën autoritare, etnonacionaliste të Millosheviçit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi veçanërisht jetën serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 përqind shqiptarë etnike dhe 7 përqind të përbërë nga pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’i bashkohen institucioneve dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në vend.

Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë në ushtrinë e saj dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Sipas një raporti të vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, ‘Serbia ofron mjedisin më të hapur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor’. Kosova, në krahasim, nuk mund të ofrojë një mjedis më pak të hapur. Ne kemi mbetur fort pro-perëndimorë”

Një çerek shekulli pas ndërhyrjes, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë. Historia e saj e fortë në vend tregon se demokracia dhe mbështetja institucionale që ajo ndihmoi në vendosjen, së bashku me kërcënimet e jashtme që parandaloi, ruajtën me sukses paqen. Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po përballemi sërish me luftë dhe kërcënime lufte në Europë. Këtu, paqja mbështetet vetëm nga aftësia jonë për ta mbrojtur atë kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe kërcënimi i një sfide të tillë është më real se kurrë.

(r.m.)