Kurti e Vuçiq do të takohen ndaras me udhëheqësit e vendeve kryesore të BE-së

Bruksel, 26 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasditen e së enjtes në Bruksel do të takohen me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Sholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell do të takohen fillimisht me kryeministrin Kurti e pastaj me presidentin Vuçiç.

Takimet e ndara 30 minutëshe, pritet të mbahen nga ora 14, një orë para fillimit të takimit të lartë të udhëheqësve të vendeve të BE-së, të cilët për dy ditë me radhë do të diskutojnë zhvillimet në botë, përfshirë edhe tensionet Kosovë – Serbi, të cilat arritën një shkallë të lartë pas ngjarjeve të muajit të kaluar në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Nuk ka plan për takim të përbashkët me udhëheqësit e të dyja vendeve, por një gjë e tillë nuk është përjashtuar, varësisht nga rrjedha e takimeve të ndara.

Takimet e sotme ndodhin pak ditë pasi të dërguarit perëndimorë paraqiten në Prishtinë dhe Beograd një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Zyrtarët evropianë thanë se pjesë e diskutimeve të Brukselit do të jetë edhe “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të mërkurën se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, para se të nisej për në Bruksel, tha se Prishtina nuk është e gatshme të themelojë Asociacionin, ndërsa nënvizoi se “pozicioni i Serbisë është bërë edhe më i vështirë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj policisë së Kosovës”.

Rrjedha e takimeve mund të pasqyrohet edhe në debatet përgjatë takimit të lartë të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët pritet të miratojnë përfundimet në të cilët palëve do t’u kërkohet që të përmbushin të gjitha detyrimet nga marrëveshjet “pa vonesa dhe pa parakushte”.

Në tekstin paraprak të përfundimeve “shprehet shqetësim i thellë” për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dënohet sulmi i 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës dhe i kërkohet Serbisë bashkëpunim në hetimin dhe ndriçimin e ngjarjeve. Përfundimet do të diskutohen përgjatë takimit të udhëheqësve të bllokut në kërkim të një konsensusi për gjuhën e tekstit.

(Zëri i Amerikës)