Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel, të dielën ose të hënën

Bruksel, 18 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, janë ftuar për një takim të nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut, për të arritur një zgjidhje evropiane mes tensioneve të fundit. Takimi pritet të zhvillohet të dielën në mbrëmje ose të hënën gjatë ditës.

Ftesa për takim është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Takimi mes palëve pritet të mbahet të dielën në mbrëmje ose të hënën gjatë ditës, varësisht nga konfirmimi nga palët.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte thënë se çështja e targave është një problem që duhet zgjidhur para datës 21 nëntor. Prandaj, nuk ka mbetur shumë kohë për të zgjidhur këtë çështje dhe për të ulur tensionet.

Në BE kanë thënë se nuk janë në gjendje të flasin për agjendën në këtë moment.

Përveç çështjes së targave, në këtë takim parashihet të diskutohen edhe çështje të tjera. Do të kërkohet zgjidhje evropiane dhe kjo përfshin zbatimin e obligimeve që kanë marrë palët nga Brukseli.

(r.m.)