Kurti e Vuçiq ftohen në Bruksel, pritet të njihen me një “propozim modern evropian”

Bruksel, 24 tetor 2023 – Bashkimi Evropian ka ftuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel, ditën e enjte.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, i tha Zërit të Amerikës se takimi, që vjen pas vizitës së të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe në Beograd, gjatë fundjavës, do të jetë “i përqendruar në mënyrat për të zbatuar Marrëveshjen (e nënshkruar në Ohër).”

“Nuk ka synim të zëvendësohet marrëveshja,” deklaroi zëdhënësi Stano, në një përgjigje me shkrim.

Ai tha se “janë diskutuar propozime dhe ide të ndryshme – disa prej tyre në formë të shkruar – dhe këto diskutime do të vazhdojnë”.

Sipas tij, në mesin e propozimeve është përfshirë edhe “një propozim modern evropian për (statutin) e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”

“Presim veprim të shpejtë nga palët për të treguar se janë të përkushtuara të vazhdojnë procesin e normalizimit – duke përmbushur detyrimet e dala nga Marrëveshja për normalizim, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme pa parakushte apo vonesa,” deklaroi zoti Stano.

Tensionet mes dy vendeve arritën një pikë të re kulmore pas sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb.

(Zëri i Amerikës)