Kurti e Vuçiq s’do të takohen bashkë, do të takohen ndaras me liderët kryesorë evropianë

Bruksel, 25 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë konfirmuar se do të shkojnë në Bruksel, të enjten, por nuk do të takohen me njëri-tjetrin. Ata do të takohen ndaras me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministren e Italisë, Gorgia Mekoni, dhe me krerët e Bashkimit Evropian, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në fillim të këtij viti, në Bruksel dhe në Ohër.

“Kurti dhe Vuçiqi do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se këto takime “do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçakut në Kosovë dhe në Serbi gjatë fundjavës”, por nuk ka dhënë detaje lidhur me teemat që do të dizkutohen. Sidoqoftë, ai ka thënë se BE-ja pret që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre.

“Presim nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së detyrimeve nga dialogu dhe shtensionimit të situatës”, ka thënë Stano.

Qeveria e Kosovës njoftoi të mërkurën se kryeministri Kurti është pajtuar që propozimi i paraqitur të shtunën nga emisari i BE-së për dialogun dhe emisarët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë të jetë bazë për bisedimetë mëtejme.

“Kryeministri Albin Kurti ka shprehur dakordimin e tij që plani i paraqitur nga diplomatët, për të cilin nuk janë dhënë hollësi, të jetë kuadri i vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate – Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, që do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu do të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë qeveria.

Takimet e Kurtit dhe Vuçiqit me liderë të BE-së në Bruksel do të zhvillohen paradite, ndërsa pasdite mbahet takimi i udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së. Diplomatët perëndimorë shpresojnë që palët të bëjnë një përparim në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve me të cilat  janë pajtuar, ndonëse ato nuk janë nënshkruar.

Shtimi i trysnisë perëndimore për zbatimin e marrëveshjes vjen pas sulmit të një grupi të armatosur serbësh ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në pjesën veriore të vendit, i cili u cilësua si sulm terrorist dhe u dënua fuqishëm nga shefi i diplomacisë së BE-së, nga Këshilli i Evropës dhe nga Parlamenti Evropian.

Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori “dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)